Pensioni i ushtarakëve llogaritet me ligjin ‘Bode’

1575
Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi ligjin për faljen e detyrimeve për ish- ushtarakët
Në ligjin nr.9361, datë 24.3.2005, botuar në fletoren zyrtare nr. 28 “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave oficerë dhe nënoficerë lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”, thuhet: Efektivat lundrues, oficerë dhe nënoficerë, të cilët kanë shërbyer në nëndetëse dhe të polumbarëve, oficerë dhe nënoficerë të forcave detare, të cilët kanë plotësuar ose plotësojnë kushtet për pension pleqërie, përfitojnë përveç pensionit të pleqërisë, një trajtim financiar në masën:
a) 50 për qind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 12,5 vjet.
b) 30 për qind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 10 vjet.
c) 20 për qind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 7 vjet.
Shuma e pensionit të plotë të pleqërisë, plus masën e trajtimit të veçantë financiar nuk mund të jetë më e madhe se 50 për qind e pagës referuese të oficerit dhe nënoficerit të nëndetëses dhe të polumbarit në çastin që i ka lindur e drejta e përfitimit. Masa e trajtimit të veçantë financiar indeksohet sa herë rriten pensionet e pleqërisë. Kur funksionet organike, në çastin kur oficerët dhe nënoficerët e nëndetëseve dhe polumbarët kanë dalë në rezervë, lirim ose në pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturat e forcave të armatosura, Ministri i Mbrojtjes, për efekt të pagës referuese, bën njësimin e funksionit dhe të gradës së tyre me funksionet organike, që ekzistojnë në forcat e armatosura, në çastin kur ushtarakut i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi. Personat që përfitojnë nga ky ligj, si dhe nga neni 12 i ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “për sigurimin suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, Ministrisë së Rendit dhe Shërbimit Informativ Kombëtar zgjedhin ndërmjet trajtimit të veçantë dhe pensionit suplementar të pleqërisë.
Pensionet suplementare të ushtarakëve

Në nenin 6 të Ligjit nr. 8521, datë 30.7.1999, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, thuhet: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm që kanë dalë në rezervë e në lirim pas datës 3.7.1991, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarakë, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe të kenë mbushur moshën 42 vjeç për femrat dhe 47 vjeç për meshkujt. Periudha që ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi përfshihet në vjetërsinë e përgjithshme të punës, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, por jo si ushtarak. Nga ky ligj përfitojnë ushtarakët e Ministrisë së Rendit, Shërbimit Informativ Shtetëror, ish-ushtarakët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas nenit 11 të ligjit 8521, datë 30.7.1999, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është:
a) 50% e pagës referuese, mbi të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
b) 2% për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit deri në plotësimin e pensionit maksimal të shtetit.
Në bazë të nenit 12, të ligjit të mësipërm, ushtaraku kur plotëson kushtet për pension pleqërie ka të drejtë të marrë dhe pension suplementar, si ushtarak në masën 1% për çdo vit mbi pagën referuese të vitit të fundit të shërbimit me status. Pensioni suplementar i pleqërisë për ushtarakët me status nuk mund të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë. I njëjti kriter ndiqet edhe për pensionet suplementare të invalidëve ushtarakë.
Si vjetërsi shërbimi, për të përfituar pension të parakohshëm, llogaritet koha nga dita e emërimit oficer apo nënoficer, polic dhe ushtar me rrogë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Rendit Publik, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ish-Ministrisë së Brendshme. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rititullohet ushtarak aktiv apo punësohet. Të ardhurat, në bazë të të cilave llogariten përfitimet janë: 
1. Në pagën referuese do të përfshihen: paga bazë për funksion dhe shpërblimi për gradën ushtarake. 
Në pagën bazë për funksionin përfshihen:
a) Paga bazë për klasën e funksionit organik;
b) Shtesa për vjetërsi;
c) Shtesa për vështirësi vendi e shërbimi;
d) Shtesa për natyrë të veçantë 
Fillimisht, dokumentet për të përfituar pensione suplementare ushtarakët i dorëzojnë në dikasterin apo institucionin ku kanë punuar apo vareshin nga ana ad¬ministrative.
Mbështetur në ligjin nr.9481, datë 16.2.2006, botuar në fletoren zyrtare nr.33:
1. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që dalin në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004, deri në plotësimin e kushteve për pen¬sion pleqërie, sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak, në masën 12 vjet për femra dhe 15 vjet për meshkuj dhe kur kanë mbushur moshën 44 vjeçe për femra dhe 47 vjeç për meshkuj.
2. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë ose në lirim nga data 1 janar 1991, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9210, date 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura”, pavarësisht nga çasti i lindjes të së drejtës për përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, do të vazhdojnë ta përfitojnë këtë pension sipas ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, Ministrisë së Rendit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit”. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, masa e pensionit shtohet 2 për qind të pagës referuese.
3. Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se 6-fishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, për ushtarakët që mbajnë gradën gjeneral; 5-fishi i pensionit bazë, në datën 1 janar për ushtarakët që mbajnë gradën kolonel; 4-fishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, për ushtarakët që mbajnë gradat major dhe nën kolonel; 3-fishi i pensionit bazë për të gjithë ushtarakët e tjerë. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Në rast të punësimit të ushtarakut përfitues në sektorin publik, masa e përfitimit nga pensioni i parakohshëm, do të jetë sa një pension bazë në shkallë vendi. Në rast punësimi në vende të tjera pune gjatë kësaj periudhe, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të jetë deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë dhe jo më pak se pensioni bazë në shkallë vendi. Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për efekte të përfitimit të pensionit të pleqërisë sipas pikës 2 të nenit 58 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.5.1993. Ushtarakët të cilët përfitojnë nga ky ligj dhe nga ligji nr. 9128, datë 29.7.2003 dhe nr. 9361, datë 24.3.2005, kanë të drejtë të zgjedhin ligjin që ka përfitime më të favorshme. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 254, datë 7.4.2005, botuar në fletoren zyrtare nr. 27, “Periudha e përfitimit të trajtimit financiar nga ushtarakët e forcave të armatosura në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 225, datë 29.5.1992, njihet periudhë sigurimi, duke filluar nga data 1.10.1993 për efekte të përfitimit të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar. 
Sigal