Pengmarrja në Kamëz, “zbërthehet” njëri prej të arrestuarve: Po Jan Prenga ishte në resort

710
Sigal

Dalin pamjet e të arrestuarve për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë ka filluar përpara pak minutave për 4 prej të arrestuarve, Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, dhe Elton Hajri.

Ata janë akuzuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje peng të personit” ndërsa 30 vjeçari nga Kavaja, Festim Bexhdili dyshohet edhe për “fshehje dhe asgjësim kufome”.

Sipas ABC News në proces verbalet që policia ka hartuar në ngarkim të tyre, ata nuk kanë qenë dakord me akuzën e ngritur nga prokuroria, dhe nuk kanë pranuar të kenë qenë pjesëmarrës të pengmarrjes së Jan Prengës.

Sipas burimeve, një prej të arrestuarve ka pranuar të bashkëpunojë deri diku me Prokurorinë. Ai ka pranuar se trupi i Jan Prengës ka mbërritur në resortin “Golden” në Shijak, por më tej nuk mësohet se çfarë ka deklaruar tjetër ky person.

Gjatë prezantimit të gjeneraliteteve në seancën e sotme gjyqësore, rezultoi se Leonard Hajri është i dënuar edhe më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali.

Kjo ngjarje u zbardh nga policia për shkak të pamjeve filmike që vinin nga garazhi i resortit “Golden”, pasi pjesa tjetër e kamerave të sigurisë, dhe filmimet, janë shkatërruar plotësisht nga pjesëtarët e grupit “Hajri”.

Duke qenë se policia ka siguruar këto pamje filmike, prokuroria do të kërkojë “arrest në burg” për të pesë personat e arrestuar.

Fakti që RENEA vijon operacionet për të bërë të mundur vënien përpara përgjegjësisë, dhe të drejtësisë, edhe të personave të tjerë të shpallur në kërkim, tregon se ka persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Konkretisht kemi të bëjmë me Dritan Rexhepin, i cilësuar nga organet e drejtësisë si “mjeshtri i arratisjeve”. Rexhepi ndodhet në burg në Quito të Ekuadorit që prej 2014, nga ku mendohet se nga burgu ka urdhëruar pengmarrjen e Jan Prengës.

Gjithashtu i përfshirë në këtë ngjarje është edhe biznesmeni Gentian Doçi, për të cilin ditën e djeshme RENEA zhvilloi operacionin në Shkodër, por pa rezultat, raporton Abc News.

Ndërkohë gjatë këtij operacioni, u shoqëruan dy persona të tjerë, si të dyshuar në pjesëmarrjen e pengmarrjes së Jan Prengës.