PD, urdhër krerëve të partisë në rrethe: Bëni peticione “popullore”, për shtyrjen e zgjedhjeve

523
Përparim HALILI
Beteja e opozitës për “Qeveri teknike” dhe zgjedhje të lira, përforcon protestën edhe jashtë çadrës
Për mbledhjen e firmave, nuk do të përdoret modeli i “Rilindjes” për ligjin e “Veting”-ut nën çadra të ngritura në trotuare e lulishte, por me firmosje konfidenciale, për shkak të presionit që “armata” e deputetëve, ministrave, drejtorëve, “të fortëve” dhe drejtuesve e të zgjedhurve lokalë të PS, kanë nisur të ushtrojnë në këtë prag zgjedhjesh ndaj të punësuarve në institucione e shërbime shtetërore
Protesta 40 ditore e PD dhe opozitës brenda çadrës përballë selisë së kryeministrisë, për të krijuar terrenin e imponueshëm ndaj kryeministrit Rama, për ta detyruar të pranojnë “Qeverinë teknike”, thuhet se do të shoqërohet me një element tjetër brenda datës 31 mars 2017, që do ketë si përmbajtje “frymën popullore” të vazhdimit të kërkesës opozitare, për shkuarjen ose jo në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Sipas burimeve konfidenciale nga disa krerë të PD në rrethe, mësohet se kupola e PD në Tiranë, pra “grupi” që merr vendimet finale të aksioneve politike të kësaj partie, kanë dhënë urdhër-porosi ndaj degëve të partisë në zona, që të bëhen pjesë e protestës për “qeveri teknike”, me një element të ri, që del edhe jashtë kufijve partiakë të saj. Konkretisht, thuhet se lidershipi i PD, ka kërkuar nga krerët e degëve të partisë, që të mbledhin firma popullore nga anëtarët e partisë, militantët, mbështetësit dhe qytetarët dhe t’i paraqesin ato në formë peticioni si lëvizje popullore, me kërkesën për shkuarje në zgjedhjet e 18 qershorit me “Qeveri teknike pa kryeministër Edi Ramën”, ose në rast të kundërt, të shpallet “vendimi popullor” për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare. Kjo lëvizje paralele, sipas vlerësimit të lidershipit të opozitës që e ka ideuar për ta hedhur në veprim, mendohet se do të zgjerojë dhe fuqizojë profilin e protestës që prej 40 ditësh po zhvillohet brenda çadrës, si vazhdim i manifestimit të mijëra shqiptarëve më 18 shkurt 2017. Kjo lëvizje, mendohet të nis në fillim të muajit tjetër, jo si një burokraci, por si një presion ndaj kupolës së “rilindjes:, për ta detyruar të pranoj propozimin e opozitës, që në thelb ka kërkesën për garanci zgjedhjesh të lira. Siç thuhet, kryesia e PD ka bërë gati formularët e listave që do të shpërndahen nëpër degët e partisë në rrethe, për plotësimin e të cilave nuk do të përdoret modeli i lëvizjes së “rilindjes” për plotësimin e ligjit të “Veting”-ut nën çadra të ngritura nëpër trotuare e lulishte, por me firmosje konfidenciale, për shkak të presionit që “armata” e deputetëve, ministrave, drejtorëve, “të fortëve” dhe drejtuesve e të zgjedhurve lokalë të PS, kanë nisur të ushtrojnë në këtë prag zgjedhjesh ndaj të punësuarave në institucione e shërbime shtetërore si administratë publike, arsim, shëndetësi, polici, ushtri, energji, në naftë, madje edhe ndaj atyre që punojnë në biznese të mëdha të cilët janë financues e mbështetës të PS, por edhe ndaj atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pensione jetimi e invaliditeti. Degëve të PD dhe partive të opozitës në rrethe, u dhënë edhe “plani” se sa firmosje duhet të sigurojnë, me qëllim numri i tyre të jetë shprehje e masivitetit, gjë u më 18 shkurt 2017 u shpalos qartë! Pas plotësimit të listave, PD dhe opozita do t’i depozitojnë në 8 adresa: 

1. Te Kryeministri Edi Rama, të cilët i bëhet kjo thirrje
2. Te kryesia e PS
3. Te Grupi Parlamentar i PS
4. Në KQZ
5. Te Presidenti Republikës
6. Në Ambasadën e SHBA-Tiranë
7. Në OSBE-Tiranë
8. Në Parlamentin Evropian
9. Në Trupin Diplomatik të vendeve të BE

Sipas informacionet që na dhanë drejtues të strukturave të PD në Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Dibër, Shkodër e Vlorë, mësohet se “shërbimet inteligjente” që ka hedhur në veprim kupola e “Rilindjes” edhe në këtë prag zgjedhjesh, janë vënë në dijeni të këtij plani të PD dhe opozitës dhe kanë “desantuar” informatorë e provokatorë brenda grupeve të mbledhjes së firmave të peticionit për “Qeveri teknike” ose shtyrje të zgjedhjeve”. Po këto burime, konfirmuan dje për “Telegraf”, se afati për mbledhjen e firmave të peticionit, do të jetë data 10 prill, datë kur mendohet të shoqërohet edhe me një protestë tjetër masive në Tiranë, si ajo e 18 shkurtit 2017. 
Sigal