Pasuritë e dyshimta, pikëpyetje për 72 zyrtarë – ILDKPKI: Në sitë 762 subjekte nga 3769 në total

56
Sigal

ILDKPKI ka referuar në drejtim të organeve ligjzbatuese 72 zyrtarë gjatë vitit 2020 për problem me pasurinë. Në raportin zyrtar të punës për vitin e shkuar, Inspektoriati I Lartë I Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave bën me dije se referimet janë bërë në drejtim të Prokurorisë, Strukturave të Hetimit Tatimor, Drejtorisë së Përgjithëshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Policisë së Shtetit, ndërkohë që shkon në 502 totali I referimeve të bëra nga ILDKPKI që prej vitit 2014.

Paralelisht janë vendosur edhe 33 gjoba për refuzim të deklarimit të pasurive, ndërkohë që numri total I tyre që prej vitit 2015 shkon në më shumë se 1,700.

Gjatë vitit 2020, ILDKPKI ka kaluar në sitë 762 zyrtarë, si për shkak të funksioneve të tyre në administratën publike, ashtu edhe prej denoncimeve të ardhura në numrin që institucioni ka vënë në dispozicion të publikut për këtë qëllim, përmes postës zyrtare, apo publikimeve nëpër media.

Institucioni bën me dije se në total ka administruar 3769 deklarata pasurie dhe interesash private të zyrtarëve të lartë. Për të gjitha këto deklarata është bërë skanimi dhe kontrolli paraprak ashtu si dhe kontrolli aritmetik dhe logjik mbi saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruara./ SCAN