Pasi i plagosi dhe dhunoi, policia arreston banorët e Astirit

525
Sigal

Policia e Shtetit në një njoftim të shpërndarë për mediat, thotë se ka nisur procedimin penal për banorët e Astirit që protestuan dje paradite.

Po ashtu Policia shpall arrestimin e 4 personave, mes tyre dhe Klevis Balliu, pasi sipas pretendimeve kanë ushtruar dhunë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë.

Njoftimi i policisë:

30 të proceduar për aktet e dhunës në ditën e djeshme

Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 4 shtetas, për veprime të dhunshme mbi Policinë dhe shkatërrimin e pronës, ditën e djeshme në zonën e Unazës së Re.

Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë, si dhe 3 janë shpallur në kërkim.

Për sulmet dhe veprimet e dhunshme mbi punonjesit e policisë janë arrestuar shtetasit:

– K.B., 30 vjeç, banues në Tiranë

– L.M., 42 vjeç, banues në Tiranë

– S.H., 34 vjeç, banues në Tiranë

– E.S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.