Kryeministri hungarez Orban, nuk nguroi të dilte “shpëtimtari i madh”, mes Serbisë dhe Kosovës, kur dy vendet ishin në kulmin e marrëdhënieve të acarta edhe pse mes qershorit, pas arrestimit së tre policëve kosovarë. Lirimi i tyre nga Gjykata Serbe e Kralevës bëri që Orban të dilte e të merrte meritat. Kryeministri më i kritikuar i Evropës, që as Evropa nuk e di ende nëse e duan një Hungari-Orbaniste në gjirin e saj, do ta përshëndeste lirimin e 3 kosovarëve fill pas turit të takimeve të tij me Edi Ramën në Shqipëri dhe Aleksandër Vuçiç në Serbi. Zelli i madh personal i takimeve të Orbanit nuk lë të kuptohen se janë thjeshtë “gëzime” të çastit. Qetësimi i ujërave në Ballkan dhe “shkuarja” e bukur mes treshes në sytë e ndërkombëtarëve duket sikur fsheh shumë të pathëna, që të shpien larg Evropës dhe SHBA, tutje tej në Rusi. E gjendur nën sanksione paraja e “oligarkëve” nuk ka vend më të mirë për t’u fshehu sesa në ballkanin zevzek që grindet mes vetes për të krijuar zhurma e nga ana tjetër për të mbuluar dallavere qofshin këto edhe nën hundën e BE apo SHBA.

“Një prej bankave që është nën administrimin e Viktor Orban do të hap filialet e veta në Shqipëri,” – kështu tha një prej ekspertëve të njohur të sigurisë Drizan Shala, i cili tha më tej se: “Viktor Orban dhe Presidenti Vuçiç, kanë një lidhje të tyre edhe te aspekti i pastrimit të parave të oligarkëve rusë, sepse protagonisti dhe pronari kryesor i bankës shtetërore, ta quajmë një bankë që është privatizuar në Bosnjë është pikërisht në kompetencë dhe nën menaxhimin e Viktor Orban dhe kjo bankë ka filluar të hapë filialet e saj dhe në Beograd. Oligarkët rusë po e shohin si mundësi Ballkanin Perëndimor përmes linjës së Budapestit, si argument, që është anëtare e BE-së, anëtare e NATO-s, të kalohen ‘para’ dhe të bëhet pastrimi i parave në Serbi dhe në Republikën Srpska në Bosnjë, pra mbi këtë bazë jemi duke folur për pasoja financiare,” – u shpreh Shala.





















