Paratë e drogës dhe ndërtimi, përplasje qeveri-opozitë

716
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku debatojnë për të dhënat e sektorit dhe lejet
Rritja e lejeve të ndërtimit ka shkaktuar akuza të ndërsjella midis mazhorancës dhe opozitës mbi burimin e parave për këtë sektor të ekonomisë. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat, sqaroi se sektori i ndërtimit është përmirësuar falë shtimit të kredive, ndërsa theksoi se, përsëri krahasuar më 2014 vlera mbetet më e vogël. Por për deputeten demokrate Jorida Tabaku, interpretimi i shifrave nga ministri nuk është i saktë duke e cilësuar ndërtimin lavatriçe të parave të pista. 

Argumentet e qeverisë
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ka cilësuar politike akuzat se në sektorin e ndërtimit po përdoren para të pista. Në një konferencë për shtyp ai sqaroi se ky sektor ka njohur rritje për shkak të rritjes së huave dhe miratimit të planit rregullues. Sipas kreut të Financave, pavarësisht rritjes, vlera e lejeve të ndërtimit për 2017 mbetet më e vogël se në 2014, kohë kur Bashkia drejtohej nga Lulzim Basha. “Huatë e reja për ndërtim kanë një rritje nga viti në vit 67.7%, huatë për ndërtim. Nga dalin paratë e ndërtimit? Dhe këto nuk janë të dhëna të Ministrisë së Financave apo qeverisë. Këto janë të dhëna të Bankës së Shqipërisë”, tha Ahmetaj. Ai shtoi se zotëronte të dhëna interesante, “sërish për të luftuar atë tentativë për të bërë pis sektorin”. “Shikoni ndërtesat për banim në gjithë Shqipërinë, në vlerë. Në vitin 2013, 22.12 miliardë; në vitin 2014, 34.4 miliardë; në vitin 2017, 26 miliardë. Rënie 24 %. Pra, e gjithë ajo bolori fjalësh “ndërtimi, droga, paratë e drogës”, ja ku e keni. Është një fakt domethënës që rrëzon çdo lloj aludimi të qëllimshëm dhe naiv, sepse ka aludim të qëllimshëm, ka edhe aludim nga padituria. Lejet e bashkisë së Tiranës, krahasuar 2014 me 2017, në vlerë. 24.9 miliardë në 2014, 24.79 miliardë në 2017. Pak më pak se 2014, por po e quaj njësoj. Ku është efekti i emocionit dhe i naivitetit? Mund të themi çfarë të duam në emocion, naivitet apo papërgjegjshmëri, por shifrat janë shifra. Nga çdo podium, por sidomos nga ky podium, duhet folur vetëm me shifra”, u shpreh ministri. Sipas tij, punësimi u rrit në vitin 2017, ndërsa papunësia në 2017 në krahasim me vitin 2014 ka një ulje drastike prej 4% dhe ka nga ana tjetër një rritje serioze gati 4% të pjesëmarrjes në forcat e punës. “Pra, gjithë rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe papunësia, në mandatin e dytë të qeverisë ‘Rama’, tenton të shkojë 1 shifrore, nga 17.6% në 13.6 %”, tha Ahmetaj.

Reagimi i opozitës
Megjithatë i menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës. Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku, tha se ndërtimi në Shqipëri është transformuar në një lavatriçe për paratë e pista. “Fatkeqësisht ndërtimi është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit, ndërsa gjatë qeverisjes së Edi Ramës Shqipëria është shndërruar në nyjën kyçe të trafikut të drogës. Pas kanabisit, krimi i organizuar me mbështetje qeveritare po trafikon kokainë dhe heroine”, tha deputetja e PD-së. Sipas saj, deklaratat e Ahmetajt nuk janë të vërteta, sepse, sipas të dhënave të INSTAT-it, lejet totale të ndërtimit për vitin e kaluar janë 819, duke u rritur me 88 % apo 384 leje më shumë. “Pjesën më të madhe e zë Bashkia e Tiranës, ku lejet e ndërtimit në Tiranë janë rritur ndjeshëm që pas ardhjes së Erion Veliajt në Bashki, çka përkon edhe me zbatimin e projektit politik të Ramës për kanabizimin e vendit. Vetëm për qytetin e Tiranës lejet e ndërtimi kapërcyen nga 90 në vitin 2015 në 106 leje ndërtimi për 2016 dhe 231 për vitin e shkuar. Pra ka një rritje me 260 për qind për dy vjet. Ministri Ahmetaj gënjen kur flet edhe për vlerën e investuar në ndërtim për Bashkinë e Tiranës, sepse në 2015-ën, vit të cilit ai iu referua, INSTAT-i nuk e maste këtë tregues. Sipas të dhënave të INSTAT-it vlera totale e shumës së investuar për ndërtim në Tiranë prej tremujorit të fundit 2016 është mesatarisht 32 miliardë lekë”, u shpreh deputetja Tabaku. Sipas saj, për sa i përket kredisë për biznese për ndërtim nuk ka rritje. “Raporti i Bankës së Shqipërisë thotë se nuk ka rritje të kreditimit për bizneset dhe se ato po përdorin burime alternative”, vlerësoi deputetja e opozitës.
Sigal