Papunësia në Shqipëri, shifrat mbeten ende alarmante

282
Sigal

“Në 23 qershor ju nuk do të zgjidhni mes dikujt dhe dikujt, por mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje për të gjithë bashkë, mes papunësisë që është ulur këmbëkryq dhe mundësisë për 300 mijë vende të reja pune,” kjo është deklarata e Ramës në qershor të vitit 2013.

Ky ishte premtimi me të cilin Partia Socialiste kërkonte të vinte në pushtet 8 vite më parë.

Por si paraqitet situata sipas statistikave zyrtare?

Në fund të vitit 2012, që përkon dhe me fundin e qeverisjes Berisha, në Shqipëri numëroheshin 176 mijë persona të papunë, shifër kjo e dhënë nga INSTAT.

Një vit më pas, në vitin e parë të qeverisjes Rama shifra u raportua me një rritje prej më shumë se 21 mijë të papunë.

Trendi i rritjes vazhdoi edhe gjatë dy viteve të ardhshme duke arritur kulmin në vitin 2015.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në dhjetor të atij viti numëroheshin 230 mijë e 967 të papunë.

Situata filloi të njihte një lloj përmirësimi në vitet e ardhshme, por sërish shifrat rezultojnë të larta.

Ndërkohë që qeveria Rama është në fundin e mandatit të dytë, sipas shifrave zyrtare rezulton se janë vetëm 11 mijë të papunë më pak se në fund të vitit 2012.

Kjo edhe pse u premtua formalizimi i bizneseve apo dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Por për kryeministrin të dhënat janë ndryshe.

“Kemi premtuar 300 mijë vende punë, dhe sot, duke ju referuar shifrave të regjistrit të punës në Shqipëri. Hapeni dhe shikojeni, ju që  jeni ndërmjetësit mes palëve, politikës dhe qytetarëve. Hapeni dhe shikojeni dhe thuajuni njerëzve. Në 2013 ishte me  473 506 punonjës të regjistruar , në fund të 2019 ishte  698 235 punonjës të regjistruar. Janë apo nuk janë 225 mijë shqiptarë më shumë që paguhen sipas vendit të punës së tyre,” shprehet Rama.

Papunësia është një ndër fenomenet më shqetësuese në shoqërinë shqiptare.

Në sondazhin më të fundit të IPR Marketing rezulton se  60.1% e shqiptarëve e kanë renditur si një problem urgjent që duhet të zgjidhet.