Paparaci/ Ismail Xhaferi: Motive nga vendi ynë!

174
Sigal

 

Shqipëri moj, ç’fat që ke!

Çdo pëllëmbë e kafene,

ku del tymi i hashashit

dhe këndon gryka e kallashit!

Shqipëri vend plot çudi,

çdo shtëpi e një parti.

Zot more i madhi Zot,

pa mitingje s’rrojmë dot!

 

S’duam ujë e s’duam drita.

S’duam bukë e s’duam grurë.

Zot more i madhi Zot,

pa parti mos na le kurrë!

Sipas kokës edhe festën.

Ndaj të themi të vërtetën:

Pa këta plotikanë,

nuk e duam fare jetën.

 

Shqipëri moj Shqipëri,

vend i vetëm pa ushtri!

Eh, sa keq ndihet flamuri,

tani s’kemi as pushkë druri.

Plot gjyqtarë e prokurorë,

plot doktorë e profesorë

prej qytetit e katundit,

po sërish ne prap të fundit.

 

Plot gjyqtarë e prokurora,

sa bandit, aq edhe horra.

Nuk ka gjyqe, por pazar,

rroftë drejtësi e vrarë!

 

Ne të parët në nënshtrim,

më të çuditshmit e globit.

Nuk ka mbetur me njeri,

pa u shpallur ‘Nderi Kombit »

Nuk ka gjoks pa dekorata!

Për të gjithë ndrin ylli fatit.

Nuk mbeti asnjë fshatar,

pa u shpallur „nderi fshatit. „

 

Klubet plot me të papunë,

ku rakia derdhet lumë.

Koha kurrë s’mund t’ju teprojë,

se zenë gjithë botën në gojë.

 

Lëviz gjuha nëpër dhëmbë,

nuk lamë hoxhë pa i bërë këngë.

Që nga Shkodra gjer në Vlorë,

janë vetshpallur mjaft shenjtorë.

Shumë parti e shumë shoqata,

që i kanë duart të gjata,

i shërbejnë vetëm lekut

dhe, flasin kodra pas bregut.

 

Dhe të huajt që na vijnë,

i shikojmë si perëndinë,

vetëm në fb të gjithë,

japin jetën për lirinë.

 

Në Facebook çdo ditë e natë,

qindra njerëz grinë sallatë.

Mbushur fb me lule,

tava, pilaf e fasule.

Shqipëri me male pyje,

me 140 yje.

Demokratë e socialistë,

që zgjedh populli në listë.

 

Ca pushtet – ca opozitë,

yje që nuk bëjnë dritë.

Ca të rinj e ca flokëbore,

që i thonë këmbës dorë.

 

Ja pra, nuk ka shumë sekrete,

pse flet populli me vete…

Populli që sallat mbush,

Flet, por se dëgjon askush.