Papa Francesku Qytetar nderi i Tiranës, ‘Nënë Tereza’ gati për meshë

590
Sigal

TIRANE – Papa Francesku, i cili zgjodi të çelë vizitën e parë në Europë, pikërisht me Shqipërinë si simbol të harmonisë fetare, Shpallet nga Bashkia e Tiranës “qytetar nderi”. Vendimi është marrë unanimisht nga anëtarët e Këshillit Bashkiak pasditen e kësaj të mërkure, të cilët po ashtu, miratuan edhe projektvendimin me një fond prej 3.3 milionë dollar për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza” ku Papa Francesku do të mbajë meshën e shenjtë, në ditën Botërore të Paqes.
…..
Papa Françesku ka bashkuar këshilltarët e majtë e të djathtë të Bashkinë së Tiranës, të cilët për herë të parë kanë votuar në unanimitet dy vendime që lidheshin pikërisht me vizitën që kreu i Selisë së Shenjtë do të zhvillojë në Tiranë më 21 shtator. Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi fondin prej 33 milionë lekësh për ndërhyrje emergjente në sheshin “Nënë Tereza”. “Ky investim po realizohet në kushtet e një nevoje ekstreme, si rezultat i rëndësisë së këtij evenimenti, ndikimit social dhe kulturor që ka kjo vizitë për komunitetin e qytetit të Tiranës dhe më gjerë, si dhe afatit të venë në dispozicion deri në vizitën e Papa Françeskut”, thuhet në vendimin e bashkisë së Tiranës. Duke qenë se mesha do të mbahet nga Ati i Shenjtë pikërisht në sheshin “Nënë Tereza”, ndryshimet konsistojnë kryesisht në pikëpamjen estetike, por edhe në përbërjen e këtij sheshi. Kështu, është vendosur që qendra e këtij sheshi të rivitalizohet duke krijuar shtërvanë të vegjël pa basenë, ndërsa do të restaurohen shkallët e Korpusit universitar. Nga ana tjetër, pritet të mbillen pemë dekorative të larta. Ndryshime pritet të pësohjë edhe ndriçimi në këtë shesh. Një pikë tjetër e mbledhjes jashtë radhë që u zhvillua sot, ka qenë edhe dhënia e titullit “Qytetar Nderi papa Françeskut, i miratuar unanimisht. Në axhendën e vendosur me protokoll nga vatikani Papa Francesku përveç takimeve zyrtare me përfaqësues të feve të ndryshme do të mbajë dhe një mesh në sheshin “Nënë Tereza” gjatë vizitës së 21 shtatorit. Eshtë hera e dytë që Shqipëria vizitohet nga një Papë, pas vizitës së Papa Gjon Palit të dytë, ne vitin 1993.

Dhënia e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës Papa Françesku, Papa i 266-të i Kishës Katolike me motivacionin:
“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social,  nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e  parë të Europës, pikërisht Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare , i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Kosovrasti: Shpallim Papën “qytetar nderi”..dhe sot është Nata e Kadrit..rastësi e bukur, tregon tolerancën fetare
“Sot është një ditë mjaft e shënuar sepse kemi përpara dy materiale të rëndësishëm. Sot është datë e shenjtë për besimtarët muslimanë, nata e Kadrit. Kjo rastësi në këtë mbledhje urgjente dhe që jemi të gjithë këshilltarët me një vendim të përbashkët, flet edhe në një kuptim tjetër për të gjithë qytetarët, për këtë bashkëjetesë kaq të bukur. Materialin për restaurimin e sheshit e gjej mjaft të goditur, i shërben qytetit dhe është në respekt të Nënë Terezës, por edhe të vizitës së Papës. Është i goditur edhe nga ana e buxheti. Vota e këshilltarëve të djathtë është pro për të dyja materialet”, u shpreh kreu i këshilltarëve të djathtë, Njazi Kosovrasti. Me këtë qëndrim janë shprehur edhe këshillarët e PS dhe LSI të cilët votuan pro.