Pandëshkueshmëria në hipoteka, KLSH dhe qytetarët

744
Pandëshkueshmëria në hipoteka, shërbimi ndaj qytetarëve dhe kontributi i KLSH
Sigal

Pandëshkueshmëria është një fenomen që po konsolidon mungesën e përgjegjësisë në kryerjen e detyrës nga administrata publike dhe po cenon drejtpërsëdrejti qeverisjen e mirë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut. Ky fenomen është i përhapur gjerësisht në Shqipëri, veçanërisht në hipoteka, dhe është e lidhur ngushtësisht me konceptin e moszbatimit të ligjit kur shkelet për ndëshkim njësoj për të gjithë, veçanërisht për administratën publike që paguhet për shërbim ndaj qytetarëve. Ndjeshmëria e qytetarëve është shumë e madhe kur ata nuk marrin shërbimin e kërkuar në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e më keq akoma kur nëpunësi që i ka cenuar pronën me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ndëshkohet, duke qenë në dijeni se ai ka shkelur dhe ligjin në momentin që ai ndeshet përsëri në sportel, krijon një impakt negativ dhe ai nuk denoncon më veprime korruptive dhe humbet besimin në institucione. Publiku është njoftuar nga Kontrollit të Lartë të Shtetit me transparencës në media dhe në faqen zyrtare për auditimet që ka kryer në ZVRPP dhe masat që rekomandon,organizative dhe ato disiplinore, si dhe dërgimin e shumë zyrtarëve të hipotekave në organin e prokurorisë për shpërdorim detyre. Realiteti flet në të kundërtën, pasi nëse nga ZVRPP masat organizative dhe administrative për vitin 2017-2018 janë zbatuar deri në 70%, masat disiplinore nuk janë zbatuar as 20% nga ZQRPP-a, e cila ka të drejtën të fillojë procedurat administrative. Qëndrimi i këtij institucioni në marrëdhënie me KLSH, nuk ka qenë ai që kërkon koha, për ndëshkimin e punonjësve të korruptuar e që shkelin ligjin dhe nuk përmbushin kërkesat e detyrës për shërbim korrekt ndaj qytetarëve. Çdo rekomandim organizativ i dhënë nga KLSH, është fakt se ka pasur një ndikim shumë pozitiv, pasi kemi parandaluar me qindra veprime të paligjshme transaksionesh pronësore në ZVRPP-të që mund të kryheshin nga administrata e hipotekave në bashkëpunim me persona të interesuar. Fakti se masat kufizuese janë dhënë për të parandaluar vazhdimin e kryerjes së transaksioneve që rrjedhin nga prona të regjistruara në shkelje të ligjit, duke cenuar direkt interesat e pronarëve legjitime dhe përvetësuar padrejtësisht pronën publike”shtet”, tregon se kur ka bashkëpunim e vlerësim reciprok institucional, nuk mungojnë rezultatet. Një pjesë e madhe e këtyre rekomandimeve jo vetëm që pranohen, por janë marrë dhe masa kufizuese deri në plotësimin me dokumentacionin e duhur tekniko ligjor, kjo ka ardhur dhe nga këmbëngulja institucionale e profesionalizmi i treguar e KLSH, duke rritur besimin e qytetarëve tek institucioni i KLSH-it. Megjithëse në procedurat e auditimit dhe evadimit të tyre, ku kryhen mbi tre herë ballafaqime si në subjekt dhe në ambientet e KLSH me transparencë dhe me frymë bashkëpunuese e debati, ku reflektohen të gjitha ato argumente ligjore dhe vlerësohen me skepticizëm profesional të gjitha provat dokumentare, ku përgatitet Raporti Përfundimtar dhe dërgohen rekomandimet e miratuara nga Kryetari i KLSH. Këtu fillon problemi i zbatimit të ligjit dhe shfaqet fryma e pandëshkueshmërisë ndaj personave përgjegjës. Ka ZVRPP si ajo e Korçës, Burrelit, Fierit, Kolonjës, Kukësit, Sarandës,etj., që jo vetëm nuk i kanë zbatuar plotësisht, por në shumë raste janë bërë palë me përfituesit e paligjshëm të pasurive, duke mos marrë masë parandaluese kufizimi, por për interesa personale kanë lejuar dhe kryer veprime me pasuritë që janë konstatuar me mungesë dokumentacioni ose me pasuritë e regjistruar në shkelje të ligjit, pra duke vazhduar me paligjshmërinë. Mungesa e dëshirës për të zbatuar ligjin apo për tu thelluar në vlerësimin e parregullsive të evidentuara nga KLSH, ka çuar deri aty sa të merren iniciativa administrative të pa mbështetura në ligj nga drejtuesit e ZQRPP, duke kryer auditim mbi rekomandimet e KLSH dhe më e keqja se KLSH nuk vihet në dijeni dhe as nuk kryhet ndonjë ballafaqim, duke pasur parasysh se KLSH është organi më i lartë i auditimit të jashtëm publik(rasti i ZVRPP Burrel, ku ka 6 muaj nuk është marrë asnjë masë për zbatimin e rekomandimeve dhe nuk është njoftuar KLSH brenda afatit ligjor. Sigurisht është në të drejtën e Titullarit të ZQRPP të kërkojë rishikim të rekomandimeve për masa disiplinore, por nuk ka asnjë të drejtë ligjore të veprojë në kundërshtim me ligjin , duke devijuar trajtimin ligjor të KLSH, për masat organizative e të cenojë direkt interesat e publikut dhe të shtetit. Është në të drejtën e drejtuesit të ZQRPP-së që të verifikojë problematika, por nuk ka asnjë të drejtë të kontestojë punën e institucionit për interesa të ngushta dhe nepotike, duke mos zbatuar rekomandimet por ka munguar përgjegjësia institucionale për informimin zyrtar të KLSH sipas ligjit.

Kjo marrëdhënie dhe ezaurimi i shkeljeve, pa u vënë në dijeni KLSH-it, ka rritur frymën negative tek punonjësit e ZVRPP se “..ne nuk ka kush na ndëshkon për shkeljet e ligjit që na evidenton KLSH“. Shmangia e ballafaqimit institucional nga ZQRPP ka bërë të mundur që megjithë punën korrekte që kryen KLSH e vlerësuar dhe nga Raport Progresi i BE të tre viteve të fundit, kjo shikohet në perceptimin e publikut, ku çdo ditë paraqiten qytetar dhe ankesa për probleme pronësie e kanë marrë përgjigje në kohë dhe janë nxitur institucionet për zgjidhjen e problemeve. Perceptimi që qytetarët kanë për punën e ZVRPP-ve, tregon qartësisht se puna e KLSH ne këto institucione nuk vlerësohet në rëndësinë duhur, pasi mundësitë që një nëpunës të kapet dhe të dënohet për shkelje të ligjit janë shumë të pakta. Dihet se në strukturat e hipotekave një pjesë e njerëzve janë punësuar me influenca si politike dhe nepotike, kjo sjell dhe mosbesim për shkak se ushtrohen influenca mbi institucionet ligjzbatuese, në mënyrë që hetimet ndaj tyre ose të mos nisin fare, ose që të mos çojnë asnjëherë në një përfundim konkret, ky është fakt. Fenomeni i pandëshkueshmërisë në ZVRPP, jo vetëm nuk është ulur, por po bëhet edhe më e vështirë për ta luftuar këtë fenomen, duke qenë se pushteti i shkelësve të ligjit në këto institucione është në rritje. Është interesante të vihet re se në ZQRPP janë prezent dhe krijojnë pamundësinë për tu ndëshkuar skenarët, ku transaksioni korruptiv është më i dukshëm “Paguani dikë nën dorë në një institucion për të marrë një shërbim” dhe “Ndërhyni për të punësuar një të afërm/të njohur jashtë procedurave” Fenomeni i pandëshkueshmërisë lidhet ngushtësisht me konceptin e ligjit, moszbatimin e tij, korrupsionin dhe, mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë shikohet se në masat e marra në hipoteka, vërehet shpesh që shkelësit lëvizin duke bërë rrokada, por nuk dalin jashtë sistemit, kjo ndodh për arsye se këta persona krijojnë një pushtet ekonomik dhe politik duke e bërë pandëshkueshmërinë edhe më të vështirë për ta luftuar atë. Ligji në Shqipëri, vazhdon të veprojë ndryshe për qytetarët e thjeshtë dhe ndryshe për zyrtarët e lartë. Kontrasti midis asaj çfarë mendojnë qytetarët për sa i përket mundësisë që ata vetë të ndëshkohen për shkelje ligjore dhe asaj që ata mendojnë se ndodh me një zyrtar të lartë për të njëjtat shkelje, vazhdon të jetë i konsiderueshëm. Kur korrupsioni prevalon në institucione, kthehet në mbështetësin kryesor të fenomenit të pandëshkueshmërisë. Nuk mund të mohohen disa hapa të ndërmarrë për respektimin e afatit të shërbimit në hipoteka, por thelbi i mirëqeverisjes në hipoteka mbetet tek zgjidhja e problemeve dhe shqetësimeve që ka publiku, por ndëshkimi “publik”, nuk e zëvendëson ndëshkimin institucional dhe administrativ. Ndërhyrja e planifikuar për reformimin dhe funksionimin e sistemit të regjistrimit, legalizimit dhe kthimit të pronave e kompensimit të ish pronarëve, mund të sjellë ndryshime të konsiderueshme në perceptimet e qytetarëve shqiptarë mbi pandëshkueshmërinë në vend, si dhe për rolin apo performancën e institucioneve që mendohet të krijohen, por kjo kërkon maturi e pragmatizëm, për faktin që e nesërmja mos të na kthejë aty ku ishim. Në luftën antikorrupsion, është adoptuar një strategji dhe plan veprimi kundër korrupsionit, megjithëse vazhdon të jetë shumë i përhapur. Krijimi i një historiku solid të investigimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet do të sjellë ndryshim në perceptimin e pandëshkueshmërisë nga opinion publik. Në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë rritja e profesionalizmit nga institucioni i KLSH, si organi suprem i auditimit të jashtëm publik. Është shumë i nevojshëm bashkëpunimi me ZQRPP, për të rritur eficencën e përdorimit të burimeve njerëzore, për vetë faktin se pandëshkueshmëria nuk mund të luftohet vetëm nga një institucion dhe mbetet problem shqetësues në Shqipëri. Kjo kërkon rritjen e frymës së bashkëpunimit institucional ndërmjet institucioneve dhe për rastin konkret mes KLSH dhe Ministrisë së Drejtësisë, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me qëllimin e mirë që nëpërmjet këshillimit, ballafaqimit dhe në respekt të pavarësisë institucionale të ndikojmë nguljen e mundësisë së pandëshkueshmërisë për të gjithë ato punonjës të hipotekave që shkelin ligjin dhe të ndikojmë direkt në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, që tashmë janë të lodhur në dyert e hipotekave. Kjo do japë një impakt pozitiv në përmirësimin e imazhit të pandëshkushmërisë dhe do të rrisë gatishmërinë qytetarëve për të raportuar shkelje ligjore me sfond korruptiv e që cenon të drejtat e tyre legjitime, kështu që në mungesë të aktivitetit efikas të shoqërisë civile, do të kemi një angazhim më të madh qytetar për mirëqeverisje e përfitim të shërbimeve cilësore e në kohë për nevojat që kanë në hipoteka.

Bajram Lamaj

Drejtor në Departamentin e Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit në KLSH