Pandemia e koronavirusit/ Ja deri kur do ndalohen udhëtimet për në Europë

335
Sigal

Komisioni i Bashkimit Europian ka kërkuar që kufizimet e udhëtimit drejt BE të zgjaten deri në mes të qershorit. Autoritetet e Brukselit kanë bërë këtë propozim për shkak se situata në Europë dhe në mbarë botën mbetet e paqëndrueshme.

“Prandaj masat në kufijtë e jashtëm duhet të vazhdojnë për të zvogëluar rrezikun që sëmundja të përhapet më tej përmes udhëtimeve”.

Për të frenuar pandeminë, të gjitha vendet e BE, përveç Irlandës, si dhe vendet jo-anëtare si Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtejni dhe Islanda ranë dakord në mes të marsit që të kufizonin udhëtimet në BE që nuk ishin absolutisht të nevojshme. Ndalimi i hyrjes ishte zgjatur një muaj më parë, por në të vërtetë skadon më 15 maj. Tani duhet të zgjatet edhe 30 ditë deri më 15 qershor.

Përjashtime nga kufizimet aplikohen për qytetarët e BE, mjekët dhe infermierët mes të tjerësh. Secili vend mund të vendosë vetë për këto kufizime të hyrjes.

Kontrollet në kufijtë e brendshëm do të mbeten të pandikuara prej këtij propozimi të Komisionit Europian. Në nisje të krizës së koronës, një numër shtetesh riktheu kontrollet në kufijtë e zonës Schengen, e cila është e lirë nga kontrollet- përfshi këtu edhe Gjermaninë. Që prej atëherë, ata që nuk janë gjermanë apo që nuk janë rezidentë permanentë këtu, mund të vijnë në Gjermani vetëm me një ‘arsye të vlefshme’. Kushdo që futet në Gjermani duhet të karantinohet për dy javë.

Së fundmi ka pasur kërkesa në rritje që Gjermania të heqë kontrollet në kufij me vendet fqinje. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer ka mbrojtur kontrollin në kufi, që janë parashikuar deri më 15 maj.

“Qëllimi ynë primar është që të rikthejmë një zonë Schengen plotësisht funksional sa më shpejt që të na e lëjojë situata shëndetësore,” tha Komisionerja e Brendshme e BE, Ylva Johansson. Vetëm më pas mund të hiqen kufizimet në kufijtë e jashtëm.