Pali Nito: Çmimet po shkundin xhepat e qytetarëve

192
Sigal

Ngado, gjithandej dhe për çdo gjë dëgjojmë dhe mësojmë për ngritjen e pandalshme dhe galopante të çmimeve përfshi edhe çmimet e nevojës jetike sikundër janë çmimet e artikujve të shportës. Dihet dhe kuptohet qartazi se kjo situatë erdhi kryesisht si pasojë e konfliktit të armatosur Rusi – Ukrainë, dy shtete këto, që flasin pothuajse të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtat sjellje e zakone, por që agresori është Rusia dhe vetëm Rusia e Putinit aggressor, që provokoi dhe realizoi një agresion të pajustifikueshëm ndaj Ukrainës. Dhe për këtë presidenti Putin dhe gjeneralët dhe marshallët rusë janë shkaktarë dhe përgjegjës, jo vetëm dhe thjesht, që sulmuan dhe pushtuan territore të konsiderueshme të Ukrainës duke iu afruar kryeqytetit të Kievit, por sollën si pasojë rritjen e çmimeve të grurit, naftës dhe gazit. Një ndjeshmëri dhe ndikim të konsiderueshëm nga kjo situatë ka pasur ekonomia jonë e brishtë, që u trondit më shumë nga fatkeqësitë e natyrës, nga tërmeti, pandemia si dhe nga mungesa e tejzgjatur e reshjeve që kanë sjellë si pasojë uljen e ndjeshme të kuotave në ujëmbledhësit dhe rezervuarët e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës etj, e që kanë çuar në thellimin dhe agravimin e mëtejshëm të krizës energjitike, që është prezente në rajon, Europë dhe në mbarë planetin. Pra sikundër shihet jemi në një krizë energjitike planetare, që duhet vlerësuar seriozisht dhe menazhuar me efikasitet të lartë për të mos i tundur, shkundur dhe zbarzur akoma dhe më shumë xhepat e qytetarëve e sidomos të disa kategorive sikundër janë shtresat në nevojë si pensionistët, qytetarët që trajtohen me ndihmë sociale, qytetarët që marrin paga të ulëta, etj. Këto ditët e fundit është ngritur edhe çmimi i bukës, këtij artikulli jetik me të cilin ballafaqohemi 3-4 herë në ditë, por ndonëse është rritur çmimi i bukës si për ironi të fatit abuzohet dhe spekullohet shumë dhe me peshën e bukës nga ana e tregtarëve. Nga informacionet që japin  mediat rezulton se pesha reale e bukës, që tregtohet është 600 gramë nga 1000 gramë, që duhet të jetë, pra: 400 gramë më pak.

Theksoj se abuzimi me peshën dhe çmimet është i ndjeshëm për qytetarët, por akoma më tepër bëhet i ndjeshëm dhe i prekshëm në kohë krizash. Prandaj lipset që të ketë kontrolle të vijueshme dhe permanente ndaj abuzuesve dhe kur konstatohen shkelje të vendosen edhe sanksione administrative, disiplinore dhe financiare. Në parantezë do të theksoja se shpesh artikulohet termi se jemi në luftë, por me të drejtë dhe natyrshëm shtrohet pyetja: kur jemi në luftë përse ministrat , drejtorët, deputetët, zyrtarët e lartë qëndrorë dhe vendorë i lejojnë vetes privilegje dhe jetojnë si pashallarë që kanë në pronësi dhe përdorim makina tepër lluksoze e me çmime tepër të shtrenjta e marramendëse, që vishen me gusto e paarfumosen edhe ju shndrrit fytyra dhe flokët në kohën kur disa kategori po mbijetojnë me shumë vështirësi dhe mezi sigurojnë bukën e gojë?? Dëgjojmë t’u thuhet e të trumbetohet me zhurmë e bujë propagandistike se qeveritarët apo deputetët dhe zyrtarët e lartë po “rropaten”duke bredhur e shëtitur jashtë me paret e popullit, por më shumë dalin  për shëtitje dhe relakse e zbavitje sesa për hallet, problematikat dhe shqetësimet e  popullit. Ky është as më shumë e as më pak një mashtrim i pastër që i bëhet qytetarëve nga politkanët dhe pushtetarët e papërgjegjshëm. Kurrësesi nuk na duhen dhe nuk na hyjnë hiç fare në punë politikanë dhe pushtetarë të tillë, që angazhohen sidomos në afera, korruptime marramendëse apo që bëjnë gjithëfarë allishervishe, xhonglime e akrobacirash në interes të tyre dhe në dëm të qytetarëve hallexhinj e nevojtarë të përhershëm. Është më se e kuptueshme dhe më se e qartë se nuk mund të ketë kurrësesi besim dhe dakortësi qytetare kur pushtetarëve duke filluar nga piramida qëndrore qeverisëse për moral kanë demagogjinë, mashtrimin dhe hipokrizinë ,intrigat, dallaveret dhe pandershmërinë, djallëzinë, cinizmin, pabesinë dhe dinakërinë. Ne kemi jo pak shëmbuj negativë për politikanë dhe pushtetarë, që janë molepsur dhe përfshirë në afera korruptive dhe janë dënuar nga drejtësia  sikundër është rasti i ish- ministrit të brëndshëm Sajmir Tahiri, ish- ministrit Lefter Koka etj, e që prokuroria dhe policia duhet domosdoshmërisht të mprehin vigjilencën dhe ndjeshmërinë e sipas rastit të reagojë me reflekse të shpejta e të menjëhershme. U zgjata disi në aferat korruptive pasi dukuri të tilla dhe ligjore e thellojnë edhe më tepër varfërinë e për pasojë i tund, shkund dhe zbraz xhepat e qytetarëve. Prandaj përballë këtij realiteti të zymtë, të trishtë e aspak normal lipset dhe është e domosdoshme që nga politika në përgjithësi dhe nga qeveria në veçanti të ketë ndjeshmëri të lartë, ndërhyrje emergjente, punë produktive, vendosmëri, këmbëngulje, impenjim maksimal dhe energji reflektuese për të ndalur shkundjen dhe zbrazjen e xhepave të qytetarëve tanë.