“Pakti detar”, Prokuroria: Hetim Gërvenit dhe nënshkruesve

510
Sigal

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se, nga marrëveshja e detit me Greqinë janë cenuar rëndë interesat e Shqipërisë, e për këtë ka regjistruar procedimin penal, që vjen pak kohë pasi Ministria e Jashtme depozitoi në organin qendror të akuzës një material voluminoz për çështjen. Në Prokurori do të pyeten njëmbëdhjetë pjesëtarët e grupit negociator për të sqaruar pozicionin e tyre në hartimin e Paktit Detar me Greqinë, në të cilin Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të rënda procedurale dhe thelbësore që binin në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit të vitit 1982. Mes njëmbëdhjetë negociatorëve të Marrëveshjes do të jenë krynegociatori Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Gazmend Turdiu ish- Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale. Marrëveshja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asaj kohe, përkatësisht Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, nga pala shqiptare. Kjo marrëveshje u hodh poshtë me një vendim unanim 9 me 0. Pakti detar me Greqinë u vu në qendër të debateve në shoqërinë shqiptare, sepse në të u zbulua se Shqipëria humbiste gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare, duke cenuar kështu edhe sovranitetin territorial të vendit.