Paketa e rimbursimit anticovid / Si përfitohet ?

58

Përveç problemit të sëmundjeve, të sëmurët me Covid kanë si shqetësim marrjen e ilaçeve të rimbursueshme. Vendimi i qeverisë ka filluar të zbatohet që më datë 24 nëntor por shumë prej tyre, sidomos të moshuarit, nuk e kanë të qartë procedurën që duhet ndjekur.

“E kemi dëgjuar që do të bëhet, por nuk e dimë se si do të bëhet rimbursimi”, u shpreh një i moshuar.

Drejtori i Poliklinikës numër 9, Bujar Mema shpjegon të gjithë hapat që duhen ndjekur.

“Skema ka hyrë në funksion në praktikën e përditshme, rregulli numër një është që personi të jetë ekzaminuar me Sars Cov pozitiv, pra që të ketë bërë një tampon dhe të ketë dalë pozitiv. Qoftë në strukturat shtetërore qoftë ato private. Ne praktikojmë bërjen e recetës në komunikim me të sëmurin, në lidhje me diagnozën dhe në institucionet tona përkatëse kemi një listë të farmacive ku marrin recetat, ne ekzekutojmë recetën dhe në zonën më të afërt mund të t’ju çohet në vendin ku duhet në banesë”, tha ai.

Sipas vendimit të qeverisë do të përfitojnë rimbursim të gjithë të sëmurët me Covid që trajtohen në banesë.

Paketat e rimbursimit janë dy, medikamentet që përdoren në stadin e lehtë të sëmundjes dhe në atë të mesëm. E para përfshin medikamente si antipirikët, vitaminat, dhe aspirinat. Kjo skemë nuk do të jetë më shumë se 1650 lekë, në varësi të recetës.

Në skemën e dytë përfshihen antibiotikët, vitaminat, paracetamoli apo ibubrofeni si edhe holluesi i gjakut. Receta për këta pacientë do të rimbursohet deri në vlerën 10900 lekë. Kohëzgjatja maksimale e trajtimit do të jetë 1 muaj dhe nuk do të kalojë vlerën e rimbursuar të përcaktuar në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.