Paketa e rezistencës sociale: Mos u përgatisni kot, shteti s’jep asnjë ndihmë financiare për muajt e verës

199
Sigal

Qeveria nuk do të japë ndihmë financiare për shtresat në nevojë në muajt korrik, gusht dhe shtator. Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Financave thanë për Euroneës se ka nisur puna për rishikimin e buxhetit të shtetit për këtë vit, por akti do të finalizohet në vjeshtë, gjatë tetorit. Zyrtarisht ministria tha se nuk ka ende një vendim për rinovimin e paketës së rezistencës.

Me buxhetin e ri qeveria do të rikonceptojë mënyrën e trajtimit financiar për popullsinë që është prekur nga kriza e çmimeve, ndërsa do të shtojë fondet për subvencionin e naftës në bujqësi dhe mbështetjen e sektorit energjitik për përballimin e importeve.

Ligji për taksim të pagave deri në 50 mijë lekë, nga 40 mijë që është sot ky kufi, do të depozitohet në kuvend sesionin e ardhshëm të Kuvendit dhe pritet të hyjë në fuqi janarin e vitit 2023.

Me paketën e parë qeveria dha 3 mijë lekë të rinj në muaj për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe, faturë që kapi një vlerë prej 3.3 miliard lekësh, ndërsa 500 milion lekë u dhanë për transportin publik dhe 500 milion u shtuan për naftën pa taksa për fermerët.

Mungesa e asistencës financiare për familjet e varfra pritet të përkeqësojë gjendjen e tyre ekonomike, në një kohë që inflacioni i mallrave të shportës ka qënë më i lartë se ai i marsit, kur Këshilli i Ministrave miratoi Paketën e Rezistencës Sociale.