Pagat e 600 mijë shqiptarëve/ Reagon me vonesë Komisioneri Publik: Fshini bazën e të dhënave!

267
Sigal

Ka ardhur më në fund një reagim nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas skandalit me zbulimin e pagave të 600 mijë shqiptarëve.

Të dhënat të pagave të janarit të vitit 2021 për ekzaktësisht 637 mijë shqiptarë dolën sheshit nëpër rrjete sociale dhe kushdo mund të kishte akses në këtë dokument.

Reagimi i Zyrës së Komisionerit ka ardhur me shumë vonesë në një moment që të dhënat e kujtdo ishin në duart e të gjithëve.

Bazuar në masivitetin e skandalit, Zyra e Komisionerit duhet të kishte reaguar që në mëngjes.

Reagimi i plotë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u njoh nga media me publikimin e lajmit për qarkullimin në platformën e komunikimit “What’s app” të një bazë të dhënash të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, shoqëruar me të dhëna të tyre. Zyra e Komisionerit ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje.

Si edhe në raste të tjera të ngjashme, Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, para së gjithash, duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se “interesi i lartë publik”, dallon nga “interesi për publikun”.

Në këtë kontekst, Zyra e Komisionerit i bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.

Çdo veprim që mund të duket si një “lojë”, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve. Qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe i bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale.

I drejtohemi opinionit publik që të mos bëhet pjesë dhe të refuzoj këtë përpunim të jashtëligjshëm dhe ta fshij këtë bazë të dhënash.