Padi penale dy mjekëve të Maternitetit të Elbasanit

963
Sigal

Prokuroria: “Nuk zbuluan në EKO fëmijën daun. Për çdo lindje apo operacion marrin ryshfet 30 mijë lekë të reja”

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet pas denoncimit nga familjarët për dy mjekët e Maternitetit të Elbasanit, A.K., dhe A.P., të cilët edhe disa muaj më parë ishin paditur nga një nënë e re që kishte lindur në kushte skandaloze, duke marrë edhe infeksion dhe duke i marrë edhe një shumë të majme parash. Burimet nga Prokuroria e Elbasanit deklaruan se, “denoncimi ka ardhur nga dy nëna dhe familjarët e tyre, lidhur me lindjet e fëmijëve, ku njëra nga gratë akuzon mjekun A.P., për marrjen e ryshfetit  prej 300 mijë lekësh, (praktikë e zakonshme e tij në çdo lindje) dhe tjetri A.K., është denoncuar pasi nuk ka zbuluar në EKO përgjatë vizitave e kontrolleve, sindromin daun të një foshnje”. Familjarët pas debateve, akuzave dhe trokitjeve në dyert e Drejtorisë Shëndetit Publik dhe Drejtorisë Spitaleve, duke mos gjetur zgjidhje kanë trokitur në derën e Prokurorisë.

Skandali

Sipas familjarëve të dy grave të shtruara në këtë Maternitet  “drejtuesit e rinj të Drejtorisë Spitaleve Elbasan dhe DSHP, nuk na begenisën, mbronin me fanatizëm dy mjekët e Maternitetit, që janë sa të paaftë aq edhe të korruptuar, sa të paedukuar aq edhe brutalë në sallat e lindjes”. Prej afro 4 muajsh, nëna e re, emri i të cilës për arsye hetimi nuk u bë i ditur nga organi akuzës, vizitohej dhe kontrollohej nga mjeku i Maternitetit  A.K. (i akuzuar nga Prokuroria 3 vjet më parë një ngjarje me pasoja vdekjen e në gruaje) duke bërë EKO, duke paguar në çdo rast 15 mijë lekë dhe së fundi ditën e lindjes ai i tregon dhe e pyet se “fëmija juaj ka sindromin daun, ke dëshirë ta mbash?” Ky skandal duket se ka bërë bujë tek të afërmit e gruas, të cilët kërkuan nga mjeku shpjegime, por më kot. Ai ka nisur t’i përbuzë, madje dhe u ka marrë lekë për operacionin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mjekun A.P., i cili e ka taksative “300 mijë lekë për çdo lindje dhe me operacion ndryshe shko në Tiranë se të marrin dyfishin”.

Hetimet

Organi i akuzës ka nisur mbledhjen e denoncimeve nga dy familjarët, duke u zgjeruar hetimin edhe me dëshmi të tjera dhe me metoda speciale hetimi, për të bazuar mbi fakte të reja akuzën ndaj tyre. Denoncimin ndaj tyre, dy mjekët e njohur në Maternitetin e tyre për paaftësi dhe  korrupsion, e kanë  konvertuar në presion ndaj dy  familjeve, duke u kërkuar atyre të “mos ankohen, se nuk do të fitonin asgjë”. Materniteti i Elbasanit, vetëm gjatë 2 viteve të fundit, ka patur 4 raste të vdekjeve të grave gjatë procesit të lindjeve, (kryesisht me operacion të detyruar nga mjekët ) por edhe mjaft  anomali të tjera duke rrezikuar jetën e nënave dhe foshnjave. Prokuroria e Elbasanit (qysh nga koha kur në krye të saj ishte Elvin Gogaj) ka patur të hapura mbi 11 dosje penale vetëm ndaj mjekëve të Maternitetit, kryesisht atyre me pak vite eksperiencë pune, por shumë të akuzuar për mitmarrje dhe sjellje brutale ndaj grave shtatzëna, madje edhe nënave në sallat e operacionit gjatë lindjeve. Burimet pranë Prokurorisë, thanë se “do të ndalen seriozisht tek dy denoncimet e fundit ndaj mjekëve të Maternitetit, pasi akuzat ndaj tyre janë flagrante, duke rrezikuar jo vetëm burgun, por edhe masat e tjera administrative, pavarësisht se qysh ditën e dytë kemi patur ndërhyrje dhe telefonata edhe nga një deputet i PS për këtë qark”.

Apeli i familjarëve

Nga ana e tyre edhe familjarët u bëjnë thirrje ministrit Shëndetësisë dhe Kryeministrit Rama të marrin masa urgjente ndaj mjekëve të Elbasanit, që e kanë kthyer spitalin në han pa porta, ku punojnë vetëm 45 minuta paradite dhe pastaj do t’i gjesh në klinikat e tyre private. Situata në spitalet e Elbasanit dhe veçanërisht në Maternitet dhe jo vetëm atje, është alarmante. MSH duhet të ndalet seriozisht në zgjidhjen e këtij problemi që lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve elbasanas dhe xhepat e tyre që boshatisen nga mjekët e korruptuar. Ka ardhur koha e ndëshkimit sipas ligjit, të atyre që luajnë me jetën e njeriut si në një lojë bixhozi.