Organizoi muzikë live në lokal nate, pezullohet dhe gjobitet biznesi në Fier

365
Sigal

Një biznesi në Fier, i cili organizonte muzikë live, i është pezulluar aktiviteti në kuadër të masave anti-covid.

Policia bën me dije, se më parë, ky biznes është gjobitur me 1 milionë lekë.

Kujtojmë se një ditë më parë, qeveria nëpërmjet një akti normativ, ndaloi aktivitetet në lokalet e natës, loung-bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre si një masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.

Ky akt normativ i qeverisë, u pasua dje dhe sot me protesta nga artistët e muzikës live, si dhe nga pronarët e lokaleve të natës.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Organizoi në mënyrë të përsëritur aktivitet me muzikë në një lokal nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Policia i pezullon aktivitetin për një periudhë 1-vjeçare.

Në vijim të kontrolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020 dhe Aktit Normativ Nr. 30 datë 20.07.2020,  Neni 1 pika 7/1 për “Mosrespektim të detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura nga subjektet”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar mbrëmjen e djeshme një subjekt night club me muzikë që ushtronte aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para u mor masa për mbylljen e këtij aktiviteti, për një periudhë 1-vjeçare. (Më parë subjektit në fjalë i është vendosur gjoba 1.000.000 lekë).

Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.