Organizohet Ekspo Kongresi i Parë Ndërkombëtar mbi Menaxhimin dhe Trajtimin e Integruar të Mbetjeve

789
Është organizuar në Pallatin e Kongreseve: “Western Balkan Waste Solution”, Ekspo Kongresi i Parë Ndërkombëtar mbi Menaxhimin dhe Trajtimin e Integruar të Mbetjeve. Ky event madhor u organizua nga Klik Ekspo Group, G & G GROUP.
EKSPO KONGRESI I PARË NDËRKOMBËTAR
“Western Balkan Waste Solution” (WBWS)
MENAXHIMI DHE TRAJTIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE,
NË GJENDJE TË LËNGËT, TË NGURTË DHE TË GAZTË.
VENDI: PALLATI I KONGRESEVE
Organizatorët: Klik Ekspo Group, G & G GROUP
Në bashkëpunim me:
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Bashkia Tiranë; Unioni i Ekspertëve Mjedisor Shqiptar – UEMSH; Dhoma e Tregtisë.
Me mbështetje të:
Akademia e Shkencave, Universitetit Politeknik të Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Tiranës, Universiteti Polis, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Luarasi, Albanian University, Universiteti Metropolitan.
LETËR POZICIONIMI
ME RASTIN E STARTIMIT TË FUSHATËS PROMOVUESE DHE SENSIBILIZUESE
PËR VEPRIMTARINË
EKSPO-KONVENTION 23-26 Nëntor 2017
Për 27 vjet, mbetja shqiptare e hapërdare, e flakur dhe e patrajtuar ka veçanësuar shqiptarin e sotëm të tranzicionit, duke na klasifikuar si popull jo të denjë për të qenë pjesë e bashkësisë europiane. Është kjo gjendje e mjerueshme e mbetjeve që ngrin buzeqeshjen e mikpritjes tipike shqiptare para një turisti, sepse befas dhe vrullshëm i kap syri plehra në kanal, qese në pemë, ujëra të ndotura në sipërfaqe dhe shtëllunga pluhuri në ajër. Mbetjet në Shqipëri, sikundër oborri i avllisë që tregon zonjën e shtëpisë, pasqyron edhe kjo amvisërinë e qeverisë.
Nisur nga kjo gjendje, ku politikëbërës e vendimmarrës e duan me të vërtetë daljen nga kjo situatë kaotike, pakëz vonë, por mjaft shpresëdhënëse, sot ndodhemi përballë një realiteti tjetër, ku për herë të parë, forca e veprimit bashkohet me atë të mendjes dhe të shkencës, sepse fitoret e vërteta të një populli janë ato të mendjes.
Ndaj jemi sot si asnjëherë më të organizuar, për të vënë metrin e parë në kilometrin e parë të menaxhim të integruar të mbetjeve urbane, të shkarkimeve të lëngta dhe të lëshimeve në ajër. Profesorë dhe ekspertë, teknolog dhe teknicien, biznesmenë dhe politikanë, ky partneritet shumë planësh, nga sot do të nisin (jo duhet të nisin) rrugëtimin e kthimit të kësaj të keqe të madhe për vendin në një të mirë të madhe, të kësaj katrahure urbane në një vepër të shëndetshme civile.
Ndaj sot mblidhemi, jo më kot, bash 10 universitetet më të mira të vendit (publike dhe jo publike), jo pak, por dy komitete organizative e shkencore me nga 20 përfaqësuesë të stafeve më të mira akademike e shkencore, të ekspertizës dhe të veprimit, për të thënë fjalën tonë në kongres e në ekspozitë, në poster e në referate, që nesër ato të jenë udhrrëfyese për politikën dhe vendimmarrje shqiptare. Që nesër, këto Komitete do të shërbejnë si mentor të qeverisë, kur asaj i lypset mendimi shkencor dhe praktik për menaxhimin e integruar të mbetjeve si në tokë, në ujë edhe në ajër.
Të dashur kolegë,
Ne sot, nuk jemi mbledhur që thjesht dhe vetëm të realizojmë një proces apo një Kongres, por ne sot gjendemi pranë një qëllimi të madh që kur ekspertët, profesorët të flasin, politika të dëgjojë, të përpiqet të kuptojë e të marrë ngasjen e zbatimit.
Kjo kauzë, sot mbrohet me dije, ligje dhe shkencëtarë. Kësisoj, këtij vendi nuk i mjafton vetëm vullneti politik, por t’i bashkëngjisim dhe atë shkencor.
Na qoftë e mbarë dhe kam shumë shpresë te perëndia, për ata që besojnë, dhe pse jo te njerëzia, se nuk do të jetë kështu Shqipëria.
Suksese secilit prej jush dhe na vaftë mbarë!
Sigal