Organizata e bashkuar e veteranëve/ Dënojmë falsifikatorët e historisë së LANÇ në 75-vjetorin e çlirimit. Parlamenti të ndëshkojë pinjollët e ish-kolaboracionistëve që hedhin baltë mbi heronjtë dhe dëshmorët

1032
Sigal

Rezoluta kundër Luftës Antifashiste, provokim tejet i rëndë në këtë vit jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut

 

Organizata e Bashkuar e Veteranëve dënon falsifikatorët e historisë së LANÇ-it

Parlamenti dhe qeveria të ndëshkojnë pinjollët e ish-kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore që me paratë e taksapaguesve shqiptarë botojnë libra kundër heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ-it

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL) dënon me ashpërsi qëndrimin absurd të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili në një botim të tij njollos luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe cilëson si kriminelë dëshmorët dhe heronjtë e kësaj lufte të lavdishme. Duke i konsideruar si pinjollë të ish-kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore, Kryesia e OBVL reagon ashpër ndaj këtij rigjallërimi kaq egërsisht të tyre kundër luftës sonë antifashiste, më e lavdishmja në historinë tonë, dhe kundër dëshmorëve dhe heronjve të asaj lufte.

Nisur nga ky botim me fondet e shtetit, OBVL e konsideron Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, si antiligjor, si një apendiks të panevojshëm për shoqërinë shqiptare. Dhe, për më tepër, ky institut, nuk ka asnjë tagër ligjor që të dërgojë rezoluta për t’u miratuar në Kuvend. Ndaj dhe OBVL e quan një poshtërsi dhe një provokim tejet të rëndë që në këtë vit jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut të paraqitet një rezolutë kundër luftës antifashiste.

Autorët e këtij botimit të këtij Instituti famëkeq arrijnë gjer atje sa të cilësojnë si kriminelë drejtuesit kryesorë të LANÇ, që nga ish-komandanti legjendar Spiro Moisiu, ish-komandanti i Divizionit të 5-të Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i kombit e gjer tek organizatorët e drejtuesit e talentuar të çetave e brigadave kryesore partizane, si Myslim Peza, Nexhip Vinçani, Muhamet Prodani etj. Kalemxhinjtë e lajthitur të këtij Instituti arrijnë gjer në marrëzi sa të botojnë një listë të gjatë me 265 emra që shpallen kriminelë të luftës. Të bën përshtypje fakti që aty nuk përfshihen kriminelë ballistë, por janë vetëm ata që njihen si udhëheqës dhe dëshmorë të asaj Lufte. Kjo listë nuk ka nevojë për asnjë koment. Sepse sipas logjikës së autorëve të këtij botimi, heronjtë e vërtetë të asaj lufte ishin Isa Toska, Isa Manastirliu, Kadri Cakrani, Halil Alia, Hamit Matjani, Mit’hat Frashëri, Xhafer Deva, e sa e sa të tjerë, të njohur botërisht për tre çerek shekulli si kriminelë dhe të flakur nga historia në koshin e plehrave.

Gjithsesi OBVL ka mbajtur qëndrim objektiv, duke veçuar edhe nga krahu tjetër kontributorët në LANÇ nga tradhtarët e bashkëpunëtorët e pushtuesit. Kreu i OBVL në disa intervista televizive e në shtypin e shkruar ka vlerësuar kontributin e Hysni Lepenicës, të Muharrem Bajraktarit dhe të Kryezinjve, vëllezërve Hasan e Gani Kryeziu. Në një intervistë në një televizion kombëtar për debatin e hapur nëse ka pasur luftë civile në Shqipëri në periudhën 1939-1944, “Heroi i Popullit”, Gjeneral Rrahman Parllaku u përgjigj në mënyrë kategorike se “Ne nuk kemi luftuar kundër ballistëve dhe as ballistët kundër partizanëve, ndonëse në historinë 5-vjeçare të luftës ka pasur përplasje sporadike midis forcave tona”. Gjithashtu Parllaku pohon se “Lufta jonë ishte luftë antifashiste, pjesë e Aleancës Antifashiste të popujve të udhëhequr nga SHBA, ish-BRSS dhe Britania e Madhe. Luftën Nacionalçlirimtare shqiptare e njohën aleatët. Anglezët dërguan misionet e tyre për asistencë ushtarake dhe për ndihma konkrete logjistike si armë, ushqime, veshmbathje, para etj. Forcat çlirimtare partizane kanë pasur një organizim të plotë që nga Tropoja deri në Konispol. Episode sporadike ka pasur nga të dy krahët. Mund të përmend rastin e Mehmet Shehut që ka vrarë në Lushnjë, apo të Shefqet Peçit që pushkatoi 22 vetë në Buzëmadh të Kukësit dhe katër të tjerë në fshatin afër, sepse forcat e Muharrem Bajraktarit vranë komandantin e batalionit partizan, Hysen Çino. Por për këto raste nuk mund të thuhet se ka pasur luftë civile, sepse dihet përkufizimi i luftës civile. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në fundin e Luftës. Unë duke qenë pjesëtar dhe drejtues i kësaj Lufte nuk mund t’i marr këto episode si material për të formësuar thelbin dhe për të nxjerrë konkluzionin e gabuar se në Shqipëri ka pasur luftë civile, në Shqipëri ka pasur pushtues të huaj që e detyruam të largohej dhe të mundej. Ne u radhitëm me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. Dhe ky është thelbi...”. Ndërsa lidhur me akuzat absurde të ndonjë kalemxhiu të çmendur të këtij Instituti, për përgjegjësinë e tij për masakrën e Tivarit, gjeneral Parllaku ka deklaruar në mbledhjen përkujtimore që u mbajt në Ulqin, më 30-31 Mars 2013, në prani të qindra historianëve e studiuesve të historisë, madje edhe të këtij kalemxhiu të shpifur, se nuk ka pasur asnjë lidhje me ato që ndodhën në Tivar. Kjo për faktin se “në atë kohë ndodhesha larg që këtej, duke komanduar forcat partizane që ktheheshin nga luftimet në Bosnje për në Mitrovicë të Kosovës, në 15 Mars të vitit 1945”. Këtë qëndrim e ka dëshmuar edhe në Komisionin e posaçëm hetimor Parlamentar, në përfundim të të cilit ish-kryetari i këtij Komisioni Prof. Dr. Fatos Beja ka botuar në një libër konkluzionet, në të cilat në asnjë frazë të vetme nuk përmendet përgjegjësia e gjeneral Parllakut për masakrën e Tivarit. Gjithsesi, në librin e tij të sapobotuar “Një shekull në memorie”, gjeneral Parllaku shkruan se: “Për masakrën e Tivarit, jam i mendimit se përgjegjësia rëndon mbi Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen, të cilët në atë kohë ishin në krye të shtetit dhe ndonëse ishin informuar që vrasjet e të mobilizuarve fillonin që brenda trojeve shqiptare, nuk ndërmorën asnjë masë për t’i ndaluar ato dhe për t’iu ardhur në ndihmë vëllezërve tanë”. Qoftë edhe këto qëndrime e gjykime objektive të Heroit të Popullit e Nderit të Kombit Rrahman Parllaku janë kundër-aktakuzë ndaj pinjollëve të kolaboracionistëve që nuk ngurojnë ta rreshtojnë edhe emrin e tij në listën e sajuar të “265 kriminelëve të LANÇ”.

Të rendisësh në këtë listë ogurzezë personalitete të tilla si Dr.Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, të dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, apo edhe Hamit Keçin, dekoruar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” – themelues dhe drejtues të OBVL-së, është falsifikim i rëndë i Historisë së LANÇ dhe kundërvënie e hapur edhe ndaj kreut të shtetit.

Kryesia e OBVL konkludon se libri “Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941-1945”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, është një monografi e sajuar e krimeve të luftës, nga vinin urdhrat e ekzekutimeve. Vetëm duke e lexuar këtë listë, lexuesi do të bindet se deri ku shkon marrëzia e autorëve të këtij botimi, pasi fshihet e gjithë historia e Luftës Antifashiste. Është një listë që nuk ka nevojë për asnjë koment. Ndaj dhe OBVL i dënon me ashpërsi këta falsifikatorë të Historisë së lavdishme të LANÇ dhe kërkon nga Parlamenti e qeveria shqiptare që sa më shpejt t’i vejë para përgjegjësisë ekzekutive e penale, autorët e këtij botimi të një Instituti që shpërdoron kësisoj paratë e taksapaguesve shqiptarë më paçavure të tilla.

Parlamenti dhe qeveria të ndëshkojnë pinjollët e ish-kolaboracionistëve të Luftës së Dytë Botërore që me paratë e taksapaguesve shqiptarë botojnë libra kundër heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ-it.

KRYESIA E OBVL