Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!
E themi dhe do ta themi këtë shprehje brez pas brezi, sepse vepra dhe heroizmi i tyre ishte aq i lartë, aq fisnik, duke e shkruar vetë përjetësinë e kësaj lavdie të merituar.
Sot, më 5 maj 2019, edhe pse moti me shi që nga nata e kaluar, Elbasanin e gjeti të gatshëm për të nderuar Dëshmorët e tij, të nderojë jetët e përjetshme që i preu në mes pushtimi i vendit në vitet 1939-1944.
Qyteti dhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, janë hijeshuar me ngjyrat e flamurit kombëtar, ndërsa trëndafilat dhe lulet e tjera të shumëllojshme, ishin të jetësuara për të nderuar edhe ato, të rënët për liri.
Në ceremoninë e rastit në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, për të nderuar lavdinë e të rënëve, ishin Prefekti i Qarkut Elbasan z. Gledian Llatja, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Qazim Sejdini, deputetët e Partisë Socialiste për Elbasanin, zj. Evis Kushi dhe z. Arben Kamami, Kryetari i Partisë Socialiste të Elbasanit, Kryetari i Këshillit të Qarkut Elbasan, z. Bukurosh Stafa, z. Xhevahir Budani, Kryetarja e Organizatës së familjeve të Dëshmorëve të Atdheut Dega Elbasan, Xhuljeta Graceni si dhe kryesia dhe anëtarë të organizatës, Kryesia e Komitetit të veteranëve Dega Elbasan dhe anëtarë të kësaj organizate, familjarë dhe trashëgimtarë të Dëshmorëve të Elbasanit, si dhe qytetarë të shumtë.
Nën marshet funebër të ekzekutuar nga Banda Muzikore e qytetit, u vendosën kurora me lule në obeliskun e të rënëve, dhe u bë roje nderi. Më pas, në paradë u kalua para vend prehjeve të Dëshmorë të Atdheut.
Në nder të datës 5 Maj, organizata jonë, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore për Fëmijë, ditën e premte më datë 3 maj 2019, në sallën e Teatrit Skampa të qytetit, organizoi sesionin përkujtimor në nder të kësaj date historike kombëtare.
Të pranishëm në veprimtari ishin z. Ymer Tola, Sekretar i Këshillit të Qarkut Elbasan, Kryesia dhe anëtarë të OFDA Elbasan, nxënës të shkollës Vasil Kamami dhe të dy gjimnazeve të qytetit, dhe qytetarë elbasanas, miq dhe vlerësues të ngjarjeve historike.
Në këtë veprimtari, Kryetarja e OFDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, foli për rëndësinë historike të kësaj date, vlerat e patjetërsueshme që ka LANÇ dhe dëshmorët e saj, si dhe roli i Heroit të Popullit Qemal Stafa, data e rënies së të cilit, është tashmë dhe data përkujtimore për dëshmorët e të gjitha kohërave të kombit tonë.
Veprimtaria ishte e pasur në përmbajtje dhe interpretime artistike nga nxënës të Qendrës Kulturore për Fëmijë, me tematikë për 5 majin, për LANÇ dhe përmbajtje kombëtare.
Emocionues është fakti se për Dëshmorët e Atdheut, nxënësi Natrin Nocka, kishte përgatitur një poezi, krijim i tijin, me titull: Klithmë.
Klithmë
Në tokat tona ranë dëshmorët,
Gurët gojë të kishin do të flisnin,
E do të tregonin dhimbjet që s’fshihen lehtë.
Heronjtë heshtën për liri,
Heshtën për të sotmen vëllazëri
Trima që shpirtin,ia falën luftës,
E nënave vajtimin,dhe krenarinë.
Klithmë që buron nga shpirti është kjo,
E që se ligshton asnjë tradhëtar,
Heronjtë nuk i mbyll dot asnjë varr,
Jetoni në cdo gjurmë të kësaj toke të bekuar…
Gjithashtu u interpretuan edhe dy poezi të autorëve Ylli Meçe me titull: “Më dhimbsesh Atdheu im” dhe Martin Çukalla, me titull: “Këtë çast në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”.
Në këtë atmosferë emocionuese dhe me ndjenja të larta atdhedashurie, vazhdoi deri në fund veprimtaria në nder të Dëshmorëve të Atdheut.
Falënderojmë me shumë mirënjohje drejtorin e Teatrit “Skampa” Elbasan, z. Kliton Kapaj, i cili ka qenë përherë bashkëpunues me organizatën tonë, duke na krijuar gjithmonë mundësitë për të zhvilluar veprimtari dinjitoze! Falënderojmë QK për Fëmijë, drejtorin e kësaj qendre, z. Martin Kushi dhe z. Liman Tërnova, si bashkëpunues të ngushtë dhe të përkushtuar në përgatitjen e nxënësve! FALENDEROJMË Z. Eduart Çala, i cili me shumë përkushtim dhe profesionalizëm si moderator i kësaj veprimtarie, që gjithmonë realizon dhe interpreton me pasion dhe seriozitet! Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, të cilët janë pjesë organike të veprimtarive tona!
Lavdi të përjetshme të gjithë Dëshmorëve Të Atdheut!