“Operacioni Shpirti”/ Gjykata e Posaçme lë në burg 14 prej të arrestuarve

83

Prokurori Sota dhe zv. drejtori i Policisë Ilir Balla në arrest shtëpie

Sigal

Gjykata e Posaçme lë në fuqi vendimin e SPAK, për të ndaluarit e operacionit “Shpirti”.

Gjykata e Posaçme, ka vendosur masën arrest me burg, për 14 nga të arrestuarit.

Ndërsa për katër të tjerë, përshirë Prokurorin Maksim Sota dhe ish-zv. drejtorin e Policisë së Vlorës, Ilir Balla, Gjykata ka lënë masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Kujtojmë që operacioni ndërkombëtar, i koduar “Shpirti”, u finalizua të premten. Nga rrëfimi i katër të penduarve të drejtësisë, u arrestuan 38 persona, përfshirë prokurorë, zyrtarë policie, si dhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nga hetimet e SPAK, në bashkëpunim me autoritetet e antimafias italiane, rezulton se grupet kriminale kanë trafikuar të paktën 6 tonë drogë përgjatë viteve 2014-2017 nga Shqipëria drejt Italisë.

Hekuran Marku dhe Agustin Deda, ish-truprorja të Tahirit sipas prokurorisë speciale kanë patur rol aktiv në trafikun e drogës. Pjesë e këtij rrjeti, është edhe ish-zëvendës drejtori i policisë së Vlorës, Ilirjan Balla (Ndaj të cilit u vendos masa arrest shtëpie), aktualisht në policinë e shtetit, si dhe Festim Lelaj, i dënuar me herët për trafik droge, si dhe Artur Krasniqi, në policinë e Durrësit.

Me kërkesë të SPAK, gjykata ka dërguar nën masën e arrestit në shtëpi, Maksim Sotën, prokuror në Vlorë, ish kandidat për në prokurorinë e posaçme, i cili dyshohet për shpërdorim detyre.

Në njoftimin zyrtar të SPAK në lidhje me këtë operacion thuhet se:

”Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashash, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë.”- shkruan SPAK.

Kërkesa e Prokurorit Maksim Sota drejtuar Gjykatës së Posaçme:

Në rrëfimin e tyre, dy të penduarit e drejtësisë për këtë dosje, Donjol Drolli dhe Mariglen Shusha, kanë deklaruar, se qiraja e shtëpisë ku qëndronte Prokurori Maksim Sota në Vlorë, mbulohej nga kreu i grupit të tyre kriminal, i quajtur Ilirjan Ducellari.

Këto akuza, Prokurori në kërkesën e tij drejtuar GJKKO-së, i cilëson si të pavërteta dhe me qëllime dashakeqe.

Ai tha se ka dijeni se kush fshihet ndaj kësaj dëshmie, duke nënvizuar se arsyet nuk do i bëj të ditura për momentin.

Në kërkesë, Prokurori kërkoi nga Gjykata revokimin e masës për sigurimin personal “arrest në shtëpi”, por siç duket, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga togat e zeza të cilat lanë në fuqi vendimin e SPAK.