Operacioni policor anti-kanabis në Krujë, arrestohen 7 persona

631
Sigal

Policia e Krujës ka vënë në pranga shtatë persona të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Pas një hetimi 2 mujor me Metoda Speciale Hetimi, Komisariati i Policisë Krujë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës e ato të F.L.O , finalizuan me sukses Operacionin Policor të koduar “Ndëshkimi 2”. Operacioni i sotëm është në vijim të operacionit policor të koduar “Ndëshkimi”, si rezultat i të cilit u arrestuan dhe ndaluan 9 persona dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Në funksion të procedimit penal, prill 2019 u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, për shtetasit: T.K., 27 vjeç; I.D., 27 vjeç; S.D., 28 vjeç; E.D., 23 vjeç; B.D., 38 vjeç; A.D., 17 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barkanesh të rrethit Krujë.

Po kështu u bë ndalimi i shtetasit B.D, 19 vjeç, me banim në Krujë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ndërsa për një shtetase, Gjykata vendosi masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike, në territorin e fshatit Barkanesh, Zgerdhesh, Kurcaj, të rrethit Krujë, ku në periudha të ndryshme, janë gjetur dhe asgjësuar kubikë të kultivuar me fara kanabis dhe fidanë të dyshuara narkotike Canabis Sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit T.K., Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri Pistoletë. Po në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 9 aparate celular. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë.