Operacion arrestimesh në Mitrovicë

227

Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një numër zyrtarësh policor dhe disa qytetarë në një operacion në Mitrovicë, i cili u pasua me tensione në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Në një njoftim të policisë thuhet se operacionit “i ka paraprirë një hetim disa mujor i i udhëhequr nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në veprat; “pjesëmarrje ose organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “kontrabandë me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e Ndaluar”, etj.

“Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e policisë e cila nuk dha hollësi të tjera për numrin e të arrestuarve, ndërsa pohoi se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në këmbë.

Grupe qytetarësh serbë dolën në rrugë pas operacionit, ndërsa autoritetet serbe në Beograd thanë se operacioni ka për qëllim të frikësojë popullatën serbe.

Mediet ne Beograd thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni është i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkroi ai në rrjetet sociale.