Oferta kolumbiane në 8 vite: Bashkë me bananet edhe tonelata kokaine

202
Sigal

Në tetë vitet e fundit, importi i bananes nga Kolumbia vjen dhuratë me tonelata kokainë

Importet e frutave e bananeve nga Ekuadori janë dyfishuar që nga 2015-a, “rikthehet” dhe Kolumbia

lumi i kokainës ekuadoriane/ Mbi 1 ton kokainë u zbulua në Portin e Durrësit në vetëm 5 muajt e fundit

Kapja e drogës kokainë në Portin e Durrësit, duket sikur është në shifra të larta dhe rendet pas konferencave për shtyp, apo njoftimeve të policisë për ta shitur si sukses. Në fakt është gjunjëzimi para krimit të organizuar, i cili e ka të lehtë depërtimin në vendin tonë për shkak të një lidhje të ngushtë me pushtetin. Kapet ajo drogë që duhet të kapet, por sa ton mund të ketë kaluar? Sipas të dhënave mbi 1 ton kokainë u zbulua në Portin e Durrësit në vetëm 5 muajt e fundit.

“Disa burime vërtetojnë rolin e zgjeruar të grupeve të Ballkanit në tregtinë ndërkombëtare të kokainës dhe grupet e identifikuara shqiptare qenë veçanërisht aktive. Shqipëria duhet të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar”. Kështu shkruan Reporteri i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, David Lega. Ai ngre shqetësimin e madh për fuqizimin e grupeve kriminale, të cilat veprojnë në disa vende të ndryshme të BE-së.

Në tetë vitet e fundit, (për fatin e “mirë” të krimit të organizuar), vendi drejtohet nga Rilindja dhe ka një trefishim të eksportit të bananes. Popullsia në vend nuk është shtuar, madje po tkurret çdo ditë nga emigracioni, dyshimi kryesor mbetet që në kontenierët me banane fshihet kokaina, ndaj ka edhe një “fluks bananesh” në Shqipëri.

Në kontenierët që transporton frutin ekzotik në shumë raste është zbuluar sasi e konsiderueshme kokaine. Deri më tani në qeli kanë përfunduar administratorët e kompanive porositëse, apo shoferët e kamionëve. Askush nuk ka shkuar tek “dora e madhe” që kontrollon tregun e drogës së shtrenjtë, që në shumë raste futet edhe në hundët e atyre që na drejtojnë.

Edhe në rastet kur hetohet nga vendet e tjera dhe policitë atje zëvendësojnë kokainën me oriz, ndosh që edhe orizin ta marrin në portet tona dhe e flakin në rrugë sapo shohin se u është vendosur GPS.

Me të drejtë vendet Europiane po japin alarmin duke kërkuar vazhdimisht nga qeveria jonë luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në trafikun e drogës. Përgjigjia gjithnjë ka qenë propaganda dhe rendja pas SPAK-ut e cila është bërë si derë e hapur për të zhvilluar konferenca mediatike.

Oazi i trafikantëve mbetet vendi ynë i vogël, pasi të ardhurat e siguruara nga trafiqet janë lehtësisht të “pastruara” nga bumi i madh i ndërtimeve në kryeqytet dhe vijën brendetare. Tashmë me fluksin e madh të bananes nuk po kuptohet nëse ajo hahet apo “thithet” si mall i pastër që vjen nga dora e parë e vendeve të Amerikës Latine.

INSTAT:Rriten importet e bananeve

Importet e frutave dhe arrave të ngrënëshme (ku një pjesë të rëndësishme e zënë bananet) nga vendet e Amerikës Latine kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.

Kjo tendencë është përforcuar dhe në 7 muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se Ekuadori është bërë për herë të parë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë për kapitullin e “frutat dhe arrat e ngrënëshme” në 7 mujorin e parë të 2021, duke ia kaluar Greqisë, që tradicionalisht ishte shteti nga ku ne importonim më shumë këto produkte.

Në krahasim me vitin 2015, importet e këtij kapitulli nga Ekuadori janë dyfishuar, duke arritur në 1.6 miliardë lekë për janar-korrik 2021, ose 38% të totalit (në 2015-n, kjo peshë ishte 23%). Të dhënat e tjera nga Comtrade, që i referohen vitit 2020 tregojnë se pjesa më e madhe e kapitullit të “Fruta e arra të lëngëshme” përbëhet nga bananet.

Frutat dhe arrat e ngrënëshme përbënin 84% të importeve nga Ekuadori. Produkti i dytë janë “Peshku dhe kafshët guackore të nënujshme”, me 13% të totalit.

Kolumbia është një tjetër shtet, nga i cili janë rritur ndjeshëm importet në vitet e fundit, që nga 2016. Në krahasim me vitin 2015, importet në total nga ky shtet i Amerikës Latine janë rritur me 38 herë, duke arritur në 1.7 miliardë lekë për 7 mujorin 2021, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT.

Ndryshe nga Ekuadori, ku tregtia është përqendruar te bananet e frutat, me Kolumbinë produktet kanë ndryshuar më shpesh. Fillimisht ishin bananet që gjetën rrugën drejt tregut vendas, me importet e tyre që u pesëfishuan nga 2015-a në 2017-n. Nga 2018-a, (që përkon me kapjen e ngarkesës më të madhe me drogë deri tani prej 613 kg në shkurt të atij viti në Portin e Durrësit), tregtia u zhvendos drejt lëndëve djegëse minerale e vajrave (në Maltë u kapën disa herë palete ku brenda ishte fshehur drogë me destinacion nga Kolumbia drejt Shqipërisë).

Pas një rënieje të fortë në 2020-n, produktet që vijnë nga Kolumbia kanë shënuar një rritje të ndjeshme sërish në 7 mujorin e këtij viti, duke u trefishuar në raport me vitin e mëparshëm. Sërish dominojnë lëndët djegëse, ndërsa një element i ri që po importohet këto muaj janë produktet kimike.