Nxënësit në Bulqizë, mësim mes lagështisë dhe zjarrit që e ndezin vetë

361
Një shkollë, që vetëm e tillë nuk mund të quhet, funksionon si institucion arsimor në fshatin Koçaj, në Bulqizë. Uji pikon nga tavanet dhe as zjarri i sobës me dru që shpesh nxënësit e ndezin vetë, nuk siguron ngrohje. Por ndërsa mësuesit nuk flasin, realitetin e tregojnë vetë fëmijët e shkollës fillore, madje edhe ata të kopshtit që ndodhet në të njëjtën ndërtesë. Në këtë shkollë mësojnë çdo ditë 50 fëmijë. Është fshati Koçaj i Bulqizës. Është shkurti i vitit 2018, por ngrehina që quhet shkollë na kthen vite pas në kohë. Duart e vogla mund të ndezin zjarrin, por janë të pafuqishëm përballë lagështisë së klasave ku mësojnë. Në kushte të tilla, i ftohti ndihet më shumë dhe mësimi ndërpritet shpesh që fëmijët të ngrohen. Në shkollën fillore “Ymer Alliu” dikur kishte dhe një mjedis për kopsht, por ka dalë jashtë funksionit. “Sot kalova në një klasë tjetër, po ajo ka shumë lagështirë”, tregon edukatorja Elsa Gjoka. Përveç mureve të dëmtuara, shkolla ka shumë probleme që nuk duken në ekran. Mungon energji elektrike sepse nuk ka një linjë tensioni deri në shkollë. Drejtori Agim Balla i është drejtuar Bashkisë dhe emergjencave civile për ndihmë dhe mbetet në pritje, ndërsa prindërve, mësuesve e fëmijëve u ka mbetur vetëm shpresa, që deri sa të gjendet një zgjidhje, shkolla të qëndrojë më këmbë.