Nuk kanë 15 vite pune, ja si përfitohet pensioni social

582
Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sigurimet shoqërore”, i cili ndër të tjera parashikon marrjen e një pensioni social për ata persona, të cilët nuk plotësojnë kushtet për të marrë pension të plotë apo të reduktuar pleqërie, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka përcaktuar kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për përfitimin e tij. Bëhet fjalë për ata persona, të cilët nuk kanë qenë kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore ose për ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruara, ndërkohë që masa e këtij pensioni për vitin 2015 është 6646 lekë në muaj.
Sipas ligjit, për ata persona, të cilët mund të kenë disa të ardhura, por që janë më të ulëta se masa e pensionit social, vlera e parave që do të përfitojnë do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Për shembull, në rast se një person ka të ardhura mujore në vlerën 3500 lekë, atëherë ai do të përfitojë: 6646 lekë – 3500 lekë = 3146 lekë. Për këtë arsye udhëzimi, që mban datën 6 korrik 2015, përcakton me saktësi se cilat do të quhen të ardhura nga burime të tjera, që në rast se përfitohen do të zbriten nga shuma totale. Kështu, të tilla do të quhen të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, i cili aplikon për të përfituar pension social. Po ashtu, sipas udhëzimit, nga masa e pensionit social do të zbriten të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë (dhënie me qira ose në përdorim të personave të tjerë për një aktivitet ekonomik fitimprurës, i cili nuk është në emër të kërkuesit të pensionit social), si dhe të ardhurat mujore nga depozita/t bankare në emër të kërkuesit.
Sigal


Përfituesit 

Sipas ligjit, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç dhe është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit. Gjithashtu, për të qenë përfitues, këta persona nuk duhet të plotësojnë kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore (pension të plotë pleqërie, pension të reduktuar pleqërie, pension invaliditeti) si dhe nuk duhet të kenë asnjë lloj të ardhure, që përfitohet nga çdo burim tjetër financiar. Gjithashtu, përfitues mund të jenë edhe ata persona që kanë disa të ardhura, por që janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.

Të ardhurat nga toka
bujqësore

Përllogaritja e të ardhurave individuale mujore për efekt të përcaktimit të masës së pensionit social, do të kryhet nga inspektori përpunues pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, por elementët që do të përfshihen janë kryesisht: Të ardhurat që sigurohen nga bimët e arave, vreshtat, ullishtat, pemëtaria etj., sipërfaqja e tokës bujqësore, kategorizimi i saj, që vërtetohet me dokument të lëshuar nga Seksioni i Administrimit dhe i Mbrojtjes së Tokës, pranë qarkut si dhe në bazë të të ardhurave në lekë/m2 në vit, sipas kategorisë së tokës (çmimin për metër katror e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit). Këto të ardhura do të pjesëtohen me numrin e familjarëve, sipas certifikatës familjare dhe të ardhurat vjetore për çdo person. Për shtetasit që kanë ndryshuar vendbanimin pas datës 1.8.1991 dhe që kanë ruajtur pronësinë mbi tokën, në momentin e palikimit për pension social duhet të paraqesin vërtetimin për tokën bujqësore të marrë në pronësi apo në përdorim nga bashkitë dhe Seksionet e Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës së rrethit nga kanë ardhur. Në rast se nuk e zotërojnë më pronësinë mbi tokën, duhet të paraqesin aktin noterial që provon tjetërsimin e saj.

Të ardhurat nga veprimtaria
ekonomike 

Sa u takon të ardhurave mujore nga veprimtaria ekonomike si aksionar i vetëm apo bashkëpronar në një aktivitet ekonomik, ato do të vlerësohen bazuar në: Vërtetimin e lëshuar nga Drejtoritë rajonale të Tatimeve, ku përcaktohet statusi i aksionerit apo i bashkëpronarit, si dhe deklarata vjetore e pranuar e fitimit. Po ashtu, nevojitet dhe deklarimi për shumën e fitimit vjetor, nga vetë kërkuesi.

Pasuritë e paluajtshme
& depozita
Të ardhurat që mund të sigurohen nga pasuritë e paluajtshme (për shembull dhënie me qira e një banese) do të vlerësohen bazuar në: vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deklarimin e kërkuesit për shumën e të ardhurës vjetore individuale nga qiradhënia ose aktiviteti ekonomik që ushtrohet dhe në kontratën e dhënies me qira ose në përdorim të pasurisë së paluajtshme. Ndërkohë që, sa u takon të ardhurave nga depozitat bankare, në emër të personit që dëshiron të përfitojë pension social, do të bazohen në shumën vjetore sipas deklarimit të kërkuesit dhe vërtetimet nga banka përkatëse (nëse ka). Sipas udhëzimit të MMSR-së, për personat, të cilëve iu ka lindur e drejta për pension social nga data 1.1.2015 – 30.6.2015 dhe nuk kanë paraqitur akoma kërkesën për pensionin social apo dokumentacioni nuk është përpunuar, e drejta e fillimit të pagesës për pension social do të jetë nga data 1.1.2015. Për rastet e tjera, e drejta e përfitimit të pagesës fillon nga data e paraqitjes së kërkesës