Nonda Kajno: Si m’u rrezikua jeta nga facebooku im

471
Sigal

 

Më vodhi adresën në fejsbuk, u kërkonte seks femrave dhe fyente miqtë e mi

Atë ditë dola nga shtëpia pak më herët se zakonisht, kisha lënë takim me dy këngëtare të reja nga Maqedonia. Koha rrjedh shpejt kur bëhet fjalë për projekte artistësh. Befas, në orën 12.00,  dëgjova zilen e celularit, më telefononte nga Selaniku mikja ime A.B. “Nonda, – më tha ajo, – dikush ka hyrë në adresën tënde të fejsbukut dhe po më fyen”. Të them të drejtën mbeta i terrorizuar nga ajo që dëgjova. Nuk e besoja dot. Ishte një gjë e frikshme, e padëgjuar më parë. Një person i panjohur fliste në emrin tim. “Ku je ti tani?” – më pyeti serish A.B. “Nuk jam në banesë – iu përgjigja, – kam dalë, por tashmë po nisem menjëherë për në shtëpi të shikoj ç’po ndodh. Ndërkohë miq të tjerë nga Amerika dhe shtete të ndryshme të Europës, nisën të më telefononin. Të gjithë më thoshin të njëjtën gjë: “Dikush ka hyrë në adresën tuaj të fejsbukut dhe fyen çdokënd”. Mbërrita në shtëpi me një frymë dhe hapa kompjuterin. Me të hyrë në faqen e fejsbukut, pashë që dikush kishte shkëmbyer replika me miqtë e mi. Fjalët e personit të panjohur, që fliste në emrin tim, ishin të rënda, ofenduese dhe të turpshme njëkohësisht. Nuk po u besoja dot syve, ai ishte përpjekur të fyente sa më shumë njerëz, miq të mi, kryesisht femra, me ato që kisha komunikuar kohët e fundit. E tmerreshme! Befas pashë se ai nisi sërish të replikonte me miket e mia, nuk kishte ndërmend të largohej prej andej. Nuk dija çfarë të bëja në ato çaste. U  ndjeva i pafuqishëm për të ndalur atë fantazmë të frikshme. Si ta ndalja?! U ula një çast i rraskapitur të mblidhja veten, dhe shtrydha trurin për të gjetur kush mund të mund të ishte kjo monstër që po përpiqej të më bënte gjëmën.

 

Nuk ishte aspak e lehtë

 

Nuk ishte aspak e lehtë të gjeja cili nga miqtë e mi ishte shndërruar në fantazmë dhe cili ishte qëllimi i tij? Përse donte të më bënte armik me të gjithë? Shprehjet e tij ishin të tilla:       “Ç’kemi… kam një kërkesë të vogël mikesh… desha që një ditë të bukur… unë dhe ti… të.. shum shum bashkë…”.  Dhe po me këtë gjuhë vijonte edhe më tej. Si mund ta gjeja kush ishte ai? Kisha rreth 5000 miq në faqen time, gjithnjë isha përpjekur që t’i përzgjidhja miqtë e mi. Me një pjesë prej tyre flisja çdo ditë, postoja muzikë, foto si kantautor, foto me miqtë e mi këngëtarë dhe gjithçka tjetër nga aktivitete të ndryshme. Kurrë nuk më kishte ndodhur kështu.  Duket se tashmë ai kishte zgjedhur një rrugë tjetër, ose për të më diskretituar, ose për të më hqur qafe, sepse ata që ishin fyer e ofenduar, mund të bënin kallëzim në Prokurori, ose mund të mbërrinin në shtëpinë time nga çasti në çast. Gratë e ofenduara i kishin kërkuar personit të panjohur të ndalonte së fyeri pasi do të vinin në dijeni bashkëshortët, por ai vazhdonte akoma më keq duke i ofenduar. Tashmë pritej të ndodhte furtuna. Bashkëshortët e tyre do të vinin të hakmerreshin me mua. Deri sa ta sqaroja unë situatën, vetëm Zoti e dinte ç’mund të ndodhte. U ngrita rrëmbimthi dhe dola nga shtëpia. Po atë çast më mori në telefon mikja ime nga Selaniku: “Shko tako një mikun tim, – më tha ajo, – dhe ndërro menjëherë fjalëkalimin!” U takova me personin e rekomanduar prej saj dhe ndërrova pasëordin, por problem im sapo kishte filluar.

 

Denoncova në Polici çfarë më kishte ndodhur

 

Ndihesha tepër i shqetësuar, ndaj nuk vonova për të denocuar në Polici çfarë më kishte ndodhur. Vura në dijeni edhe Ministrinë e Brendshme në Tiranë, por atë çast mësova se Ministria e Brendshme dhe vetë ministri ishin vënë në dijeni para meje nga miqtë e mi brenda dhe jashtë Shqipërisë për gjithçka që po më ndodhte. Njerëzit e Ministrisë së Brendshme më sugjeruan të bëja kallëzim penal pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë. Për hetimin e kësaj çështjeje u caktua oficeri i Policisë Gjyqësore, Bruild Mulla. I pranishëm ishte edhe kryekomisari Edmond Tarkaj, i cili sugjeroi vijimin e mëtejshëm të veprimeve proceduriale dhe delegimin e tyre te oficeri i Policisë Gjyqësore, z. Mulla. Pas kësaj, u ktheva sërish në shtëpi me të njëjtin nxitim që t’u dërgoja mesazhe gjithë miqve të mi për t’u shpjeguar se nuk isha unë ai që kishte dërguar mesazhet fyese, ofenduese dhe të turpshme por dikush tjetër që më kishte vjedhur fjalëkalimin. Këtë mesazh ua dërgova të gjithëve. Ishin të shumtë ata që më kthyen përgjigje. “Nuk besuam që ishte ti Nonda”, – më shkruanin. Mirëpo pati të tjerë që  nuk donin ta besonin sepse bashkëshortet e tyre ishin fyer  në mënyrën më të pabesueshme.

 

Tentuan të më vrisnin

Nuk vonoi shumë dhe një person i revoltuar mbërriti në shtëpinë time, por për fatin tim të mirë, i sapoardhuri ishte vëllai i komshies time në pallat dhe ajo ia sqaroi ngjarjen. Megjithatë ai më takoi dhe më kërkoi të shkonim në Polici. E falenderova që më la kohë t’i shpjegohesha. I thashë që personin e dyshuar e kisha denoncuar në Polici dhe hetimet kishin filluar. Iu luta të priste deri te nesërmen, sa të dilte e vërteta. Falë Zotit më mirëkuptoi sepse njiheshim. Fill pasi u largua ai, ra përsëri zilja e derës. Nuk pata guxim t’i përgjigjesha, por zilja nuk pushonte. E pashë nga vrima e çelsit, ishte bashkë me bashkëshorten. Çfarë nuk kishte shkruar personi i panjohur! Dikujt prej grave i thoshte: “Të lutem vetëm një …, maksimumi 2 orë se …”. Personi që po i binte ziles kur pa që dera nuk po hapej, filloi t’i binte me shkelma dhe bërtiste si i çmendur. Me të ikur ai, u largova edhe unë nga shtëpia. Kjo kishte qenë gjëja më e mençur që kisha bërë, sepse kur u riktheva në shtëpi mësova që kishin ardhur edhe 3 persona të tjerë të më vrisnin. Njëri prej tyre, nga Maliqi, kishte ardhur me thikë në dorë, i binte derës dhe  dridhej i tëri. Mesazhet e dërgura prej tij ishin skandaloze. Po citoj edhe një mesazh tjetër, për të kuptuar sa i rrezikuar isha: “Sot është dita më me fat për mua sepse …. një braziljane… piva 20 kokrra Viagra, …” . Nëse nuk do të isha larguar nga shtëpia, ndoshta sot nuk do të isha gjallë.

 

Hetimet vijonin

Oficeri i Policisë Gjyqësore erdhi në shtëpinë time ditën e dytë. Me të ndezur kompjuterin për të kryer verifikimet e nevojshme, u lidh edhe me specialistët e Ministrisë së Brendëshme. Nisa ta shihja oficerin e Policisë Gjyqësore me admirim, ai ishte i vetmi që mund të më ndihmonte për të dalë nga situata e vështirë ku gjendesha. Shumë shpejt prej Ministrisë mbërriti një njoftim: “Personi që dërgon mesazhe, telefonin celular e ka të paregjistruar, të blerë në pazar, ndaj është e vështire për t’u verifikuar”. Sërish u merakosa, a do ta gjenin dot personin që po më tmerronte?

 

I dyshuari

 

Të gjendur në këto rrethana, ata më pyetën mua te kush dyshoja. Nuk u stepa aspak: “Mendoj se është nipi im, E. Kajno, – u thashë, – me banim dhe punë në Tiranë. Dyshoj te ky njeri sepse jemi në konflikt për pronat. Së fundi, pala që përfaqëson E. Kajnon e humbi me turp gjyqin sepse e ashtuquajtura “Kontratë e Pjesëtimit Vullnetar”, e datës 8 gusht 1995, e hartuar nga noteri Mihallaq Bimbli, kushëri i tyre, rezultoi e falsifikuar në të gjitha firmat e saj. Kjo e vërtetë u bë e ditur nga Gjykata e Apelit Korçë në vendimin e saj, nr 60, dt 21.02.2014. Dyshoja gjithashtu sepse ai ishte njohës shumë i mirë i kompjuterit dhe i interesuar të më hapte probleme nga më të ndryshmet. Tjetër njeri nuk kishte asnjë arsye dhe asnjë mundësi të gjente fjalëkalimin tim. Oficeri i Policisë Gjyësore mori në cilësinë e provës materiale disa fletë formati të printuara me përmbajtjen e mesazheve, të dërguara,  sepse “i panjohuri”, nuk kishte dërguar një mesazh e dy,  i kishte zënë gjithë miqtë e mi me radhë, por pjesa më e madhe e tyre ishin femra, të cilave u kërkonte seks dhe i fyente paturpësisht. Mesazhet e dërguara ndiqeshin si nga OPGJ.  B. Mulla, ashtu edhe nga specialistët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë. Kompjuteri im u këqyr për gjithë përmbajtjen e tij duke filluar nga dita që kishte ndodhur ngjarja deri në përfundim të saj. Që nga ai çast E.Kajno nisi të vëzhgohej nga Policia. Fatmirësisht mesazhet fyese vijonin të vinin edhe kur kompjuteri im po hetohej nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Bruild Mulla. Rreth orës 14 mbërriti njoftimi se dërguesi i mesazheve ishte pikërisht E.K, i cili ishte arrestuar në flagrancë me të hyrë në shtëpinë e vet. Edhe në atë çast kishte qenë duke dërguar mesazhe. Materialet i kaluan Prokurorisë për vlerësim dhe  veprime të tjera hetimore. Atë çast mora frymë i lehtësuar, mu duk sikur hoqa një peshë të rëndë që kishte pllakosur mbi mua.

 

Policia identifikoi autorin

Pas kësaj,  kallëzimi im pranë Drejtorisë së Policisë Korçë te z. Belind Mulla, iu dha për hetim prokurorit Elion Mustafa, i cili pa më thirrur asnjëherë, e pushoi çështjen për mosfillim hetimi. Këtë ngjarje të frikshme që po ju rrëfëj, e kam dërguar në të gjitha instancat, përfshi këtu Ministrinë e Drejtësisë, KLGJ-në dhe  KPK,- në; kjo e fundit e shkarkoi prokurorin Elion Mustafaj. Dosjen do t’ia vë në dispozicion për hetim edhe SPAK-ut edhe Byrosë së Hetimit, sepse edhe si njeri, por edhe si kompozitor dhe kantautor i njohur në gjithë vendin, edhe si autor i 400 këngëve të njohura, nuk do t’ia falja askujt këtë sajesë të turpshme që më rrezikoi jetën dhe familjen; nëse nuk do të kisha ikur nga shtëpia, sot nuk do të isha gjallë. Mbi të gjitha jam njeri i vuajtur, kam vuajtur shumë, si unë dhe familja ime, por ndihem mirë kur dëgjoj këngët e mia të këndohen nga këngëtarët më në zë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe gjithë diasporës. Këngët e mia këndohen duke filluar nga tenori Kastriot Tusha, Rovena Dilo, Vikena Kamenica, Grupi Ritfolk, Manjola Nallbani, Ermira Babaliu, vëllëzërit Prifti, Ermira Kola, Olsa Pema, Xherela Ballkameni etj, gjithashtu jam fitues i 7 çmimeve mbarëkombëtarë si brenda dhe jashtë vendit. Kam qenë i ftuar në mbarë Europën, atje ku ka shqiptarë. Këngët e mia, mbi 250, gjenden prej vitesh në youtube në faqet e internetit.

 

Mesazhi im

Por me këtë rast dua t’u them të gjithëve se nuk paska gjë më të frikshme sesa një kurth elektronik. Falenderoj edhe miken tim A.B., në Selanik që më njoftoi që në momentin e parë ku me një mesazh të veçantë në “Facebook”, iu bënte të qartë të gjithëve, qe nuk isha unë ai që dërgonte mesazhet e turpshme. Miqtë e mi të dashur kudo që ju kam: Mos i provofshi kurrë ngjarje të tilla!