Njoftime tallëse në zyrat e PS Gjirokastër, Tepelenë, Përmet: “Vendet e punës u shitën, së shpejti vjen furnizim i ri, gati pren

645
Sigal

Për të qarë dhe për të qeshur/ Humor, me bazë realitetin se si mund të punësohesh në administratën shtetërore

Prej 22 vjetësh, në Shqipërinë nuk ka ndryshuar dhe nuk mendohet të ndryshojë asgjë, as për 100 vjet të tjerë, lidhur me ndërtimin e administratës publike, konkretisht në kërkimin dhe sigurimin e një vendi pune në zyrat shtetërore. Fakti është ky: kur ndërrohen pushtetet politike, ata që bien nga kolltuku qeveritar (drejtuesit mbeten deputetë të përjetshëm), nëpunësit e çdo niveli janë “viktimat” e mundshme që humbasin vendet e punës, të përfituara si familjarë, miq, shokë, të afërm të politikanëve, si militantë “ekstra” të partisë së tyre, si financues të fushatës elektorale, si shokë e ortakë të deputetëve dhe ministrave, si të “fortë të zonave”, ose si blerës me lekë në dorë të vendeve të punës nëpër zyrat e partive, deputetëve, ministrave e sekserëve të tyre. Ndërsa ata që vijnë në pushtet, kanë shansin për të gjetur një vend pune, po sipas praktikës që bëhet në çdo pushtet, duke u punësuar jo prej aftësive profesionale, por si familjarë, të afërm, shokë të drejtuesve qendrorë e lokalë të partisë, të deputetëve, ministrave, ose si financues të fushatave, si militantë të “tërbuar” të partisë, si “të fortë të zonave”, ose duke i blerë vendet e punës me lekë në dorë nëpër zyrat e partisë, të ministrave e deputetëve, apo me sekserë. Gazeta “Telegraf” ka publikuar denoncime të shumta që janë bërë prej anëtarëve të PS dhe qytetarëve, për punësime nepotike familjarësh e shokësh të krerëve të lartë lokalë e qendror deputetë dhe ministra e madje zv/kryeministër të “Rilindjes” në Korçë, Devoll, Elbasan, Durrës, Fier, Berat, Vlorë, por që në këto qytete e qarqe, skandali me punësimet ka shkuar deri në shitje vendesh pune me tarifa të vendosura e të bëra publike prej “shitësve” zyrtarë qeveritarë e politikë të “Rilindjes” në këto zona. Ashtu siç është vepruar e vazhdon të veprohet në Korçë, Devoll, Elbasan, Durrës, Fier, Berat, Vlorë, ka ndodhur e po ndodh edhe në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet me vendet e punës. Vendet e punës në administratën e rretheve Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e sidomos postet e drejtorëve rajonalë e lokalë, u janë dhënë si dhuratë familjarëve të ministrave, deputetëve e krerëve lokalë të PS, ndërkohë që vendet e tjera të punës nëpër zyra, janë shitur e po shiten në zyrat e PS, në kafene prej deputetëve, prej sekserët të ministrave dhe krerëve të PS lokale në këtë zonë, duke e shndërruar PS e jugut, në “minimarket” vendesh pune.

  Njoftimi i vendosur në zyrat e PS-Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet

 “Vendet e punës u shitën, së shpejti vjen furnizim i ri, gati prenotimet. Për kontakt tek shitësit: Kryetarët e PS-Deputetët e Zonës”

 Afro 20 ditë më parë, kur isha në zonën e jugut, konkretisht në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, dëgjoja nëpër biseda që flitej për shitje vendesh pune dhe për tarifat e tyre, caktuar sipas “peshës” dhe rëndësisë së vendit të punës. Dëgjoja madje, që përmendeshin edhe emra deputetësh të zonës, ministrash, drejtorësh rajonalë e qendrorë, politikanësh të lartë e drejtuesish lokalë të PS e sekserësh të tyre të besuar, të cilët sipas qytetarëve quheshin “shitësit ekskluzivë” të vendeve të punës në rrethet Gjirokastër, Tepelenë, Përmet. Të them të drejtën, nuk i morra seriozisht bisedat e shumta që dëgjova lidhur me “pazarin e vendeve të punës”, mbasi kur u kërkoje fakte, ata kishin frikë të flisnin (ende ekziston frika). Por realisht, fakte “pazaresh” me vendet e punës ka dhe ne, i kemi të evidentuara ato me emra “pazarxhinjsh” e me vende pune të “menaxhuara” privatisht prej “bosëve” të politikës e pushtetit në jug. Në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet njerëzit vazhdojnë të flasin e të dërgojnë letra tek Edi Rama, për pazaret që janë bërë e po bëhen me vendet e punës. Por askush nuk reagon edhe pse letrat e tyre kanë brenda denoncime konkrete. Të gjendur të papërfillur, të mashtruar e të tallur prej partisë së tyre, disa prej të shpërfillurve, kanë gjetur një model tjetër për të denoncuar dhe goditur batërdinë që po bëhet me vendet e punës në administratë. Tre ditë më parë, një miku im nga rrethet e jugut, më njoftoi se në zyrat e PS në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet ishin vendosur njëkohësisht disa njoftime interesante për nga përmbajtja. Nëpërmjet tyre, njoftoheshin militantët dhe anëtarët  e PS të mbetur papunë, por edhe të interesuar të tjerë për vende pune, se vendet e punës në administratë kishin mbaruar. Ja njoftimi siç ishte shkruar: “Vendet e punës u shitën, së shpejti vjen furnizim i ri, gati prenotimet. Për kontakt tek shitësit: Kryetarët e PS-Deputetët e Zonës”. Jam totalisht i bindur, që këtë njoftim në hyrje të selive të PS në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, nuk e kanë vendosur as drejtuesit e PS të këtyre rretheve dhe as deputetët e zonës. Por në këtë “njoftim” denoncues, bërë me ironi therëse prej “anonimit” popull, qëndron një realitet i plotë e i hidhur, baltosës e turpërues, madje shumë dëmtues për “Rilindjen” në këtë prag zgjedhjesh lokale. Realiteti është ky: drejtuesit e PS lokale në jug dhe deputetët e zonës, madje edhe ministrat “kapadai”, me ndërhyrjet dhe pazaret e tyre të pista e kanë bërë “baltë” me punësimet në administratë, duke krijuar rrjet nepotike, banditeske e klienteliste në drejtimin dhe shërbimet në administratën shtetërore. Kam dëgjuar për 18 deputetë dhe katër ministra të PS, të cilët në qarqet Gjirokastër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Tiranë, Dibër e Vlorë bëjnë pazare për emërime nepotike e shitje vendesh pune, duke u vetë-prezantuar si “Mon Kukalëshët” e Kryeministrit Edi Rama, kur faktikisht Edi Rama as mban të tillë “kone” prapa e as pjerdh për “specie” të tilla… Pikërisht këta po e diskretitojnë “Rilindjen”. Pikërisht këta, në emër të pazareve, kanë lënë “prapa liste” militantët, anëtarët kontribuues të PS dhe profesionistët “pa krahë” politik e qeveritar në Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, të cilët siç thonë, nuk po futen dot në punë, mbasi nuk janë në “listat” e kryetarëve, deputeteve e drejtorëve horra të pushtetit që i dhanë votën me dashuri e bindje për barazi trajtimi e respektim të drejtash! Dhe kanë të drejtë, që të gënjyerit, të zhgënjyerit, të tallurit, të shpërfillurit, të braktisurit socialistë e jo socialistë por profesionistë, të mbetur rrugëve pa punë, të detyrohen të ngjisin njoftime ironike e denoncuese dyerve të zyrave të PS, me tekstin: “Vendet e punës u shitën, ju njoftojmë se së shpejti vjen furnizim i ri, bëni gati prenotimet. Për kontakte, drejtohuni tek shitësit: Kryetari i PS-Deputeti”.

 Ja oferta “Okazion, për vende pune”, që po qarkullon si humor në Gjirokastër-Tepelenë dhe Përmet

 Personi që më njoftoi, për njoftimet e ngjitura në zyrat e PS të rretheve Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, më dërgoi me e-mail edhe një “Ofertë-Okazion” mbushur me doza humori për shitje vendesh pune, që shoqëronte njoftimet e ngjitura në hyrje të zyrave të PS e që qarkullon si humor rruge, në mjediset e këtyre rretheve. “Oferta-okazion”, ashtu si njoftimi ishte një sarkazëm tepër therëse, tallëse deri në injorim e diskreditim për deputetët, ministrat dhe krejt pushtetin e PS, por me pikënisje realitetin e qelbët të krijuar prej drejtuesve lokalë të pushtetit, të cilët kanë arritur deri aty, sa të flasin edhe në emër të kryeministrit e kryesocialistit Edi Rama, sikur gjoja “qelbërsillëku” i tyre me vendet e punës është “udhëzim” i Edi Ramës. Ja “Oferta-Okazion” që po qarkullon prej 1 jave, si trakt humoristik, në rrethet Gjirokastër-Tepelenë-Përmet:

 “OFERTA-OKAZION”

 Ju njoftojmë se shitja e vendeve të punës, se së shpejti pritet të vijë “furnizimi e ri” me vende pune, të siguruara në qeveri nga deputetët dhe kryetarët e PS e disa ministra ish-deputetë të zonës. Nga këto 30% do të kalojnë direkt për familjarët dhe miqtë tanë, ndërsa 70% e vendeve që do të hidhen në treg, do të shiten me çmimet ekzistuese që ju i dini: 2000-3000-50000-10.000-15.000-20.000 euro, kjo në varësi të rëndësisë së vendit që do të kërkoni. Por këtë radhë, ndryshe nga më parë “bordi drejtues i shitjeve”, për të lehtësuar financiarisht ata që do të blejnë vende pune, ka futur në veprim një risi nxitëse të quajtur “Ofertë-Okazion”, me skemë shitjeje ndryshe nga deri tani.

  Për 30 punëkërkuesit e parë:     30% ulje

  1.  Për 30 punëkërkuesit e dytë:      20% ulje
  2.  Për 30 punëkërkuesit e tretë:      10% ulje
  3.  Për 2 jetimët blerës të parë:         5% ulje
  4.  Për 1 invalid, blerës të parë:         2% ulje
  5.  Për 30 femrat më të bukura:        100% ulje
  6.  Për militantët llafazanë:                 0% ulje
  7.  Për gjtihë spiunët tanë:                 80% ulje
  8.  Për intelektualët pa shkollë:          10% ulje
  9.  Për fshatarët që duan zyrë:         15% ulje
  10.  Për të “fortët” e qyteteve:           80% ulje

OFERTË E VEÇANTË

  1.  Për shitje me shumicë (3 vende pune): 10% ulje
  2.  Për shitje me shumicë (5 vende pune):  20% ulje
  3.  Për shitjet me shumicë (mbi 5 vende): 30% ulje
  4.  Për militantët e PS, të pa punësuar në pushtetin e PS  të viteve 1997-2005, bëhet 25% ulje.
  5.  Për militantët e PS, të punësuar në vitet 1997-2005, por që janë larguar nga puna në vitin 2005 prej pushtetit nepotik e klientelist të PD, bëhet 15% ulje.
  6.  Për Demokratët që janë larguar nga puna pas vitit 2013 prej pushtetit të PS, pranohen të rikthehen në punë me 10% ulje, me shënim nga kreu i PS zonale ku bën pjesë, legalizuar me firmë të kryetarit të degës zonale të PD.
  7.  Për demokratët që nuk janë larguar ende nga puna, por që duhet të qëndrojnë në punë, shitja bëhet me 100% të çmimit, plus taksën 20% TVSH, shoqëruar me “CV” nga kryetari i PS të qytetit ose fshatit të tij.

 SHËNIM

 Vendet e punës jepen edhe me klering, ose me konvertime vendesh pune ekuivalente për nga “pesha” dhe rëndësia, nga një zonë në tjetrën. Oferta është e vlefshme 20 ditë nga nisja e saj. Pas skadimit të ofertës, nëse kanë mbetur vende pune, ato shiten me çmimet reale të tregut, të përcaktuara nga “Shoqata Kombëtare e ministrave dhe deputetëve të PS”, sipas pozicionit të vendit të punës dhe kohëzgjatjes të qëndrimit në vendin e punës. Cili kapet me abuzime në detyrë, lekët nuk i kthehen.

 SQARIM

 Për militantët e PS dhe të papunët e çdo partie qofshin, që nuk mund t’i përgjigjen ofertës tonë “okazion” për blerje vendesh pune, i njoftojmë me “shumë dashuri e dhimbje”, se do të krijojmë një mundësi tjetër integruese për të arritur të punësohen, por duhet të durojnë me besim të plotë, mbasi me fondet që shitëm vendet e punës, do investojmë të sigurojmë një furnizim të ri vendesh pune. Ju garantojmë, se brenda mandatit të dytë të pushtetit të PS, do të sistemoheni patjetër në punë. Ju faleminderit për mirëkuptimin, mirë u pafshim në zgjedhjet lokale. Për aplikime, paraqituni në zyrat e PS-së së lagjes, zonës, qytetit, në çdo kafene, restorant, hotel, motel, bingo, parking, varrezë makinash, pallat në ndërtim, kazino, e loto sport e lavazho që ka posterin e “Rilindjes”.

 KUJTESË

 Të interesuarit që janë në pritje për vende pune, të dërgojnë “CV” dhe preferencën e tyre, në adresën tonë elektronike: [email protected]

Ose mund të komunikoni në çdo kohë me ne, në numrat e telefonit pa pagesë:

– Telefon: 0080055443366778899221177/12345678 (Gjirokastër)

– Telefon: 009033221155668899774422/765478963 (Tepelenë)

– Telefon: 0070035678120965432673217/43678429 (Përmet)

– FAX: 000000000000000000000000000/00010000

– Tel/ Kryetarët e PS: Nëse numrat e vjetër janë mbyllur, prisni njoftim për numrat e rinj.

– Tel/ Deputetët: Telefononi pa ndërprerje, dërgoni edhe me SMS, do të merrni përgjigje.

 Ju lutemi, tregohuni vigjilentë, të mos bëheni viktima të pazareve korruptive për vende pune!

Përparim HALILI