“Njeriu i partisë”/ Denar Biba propozohet nga PS si drejtues i Autoritetit të Konkurrencës

263
Sigal

Denar Biba propozohet nga Partia Socialiste si drejtues i Autoritetit të Konkurrencës.

Emri i Bibës u soll në Komisionin parlamentar për Ekonomisë dhe Finacat këtë të Hënë, kur u mbajt mbledhja për “Për propozimin e Kryetarit të Komisionit të Konkurrencës”. Deputetët e opozitës në komision, u shprehën kundër zgjedhjes së Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës.

Megjithatë, me numrat në favor, socialistët miratuan që kandidatura e Bibës ti kalojë parlamenetit për votim. Ndërsa propozimi që ai të thirrej për dëgjesë në komision, u rrëzua nga shumica socialiste.

Denar Biba, i mbështetur nga PS, ka qenë kreu i KQZ-së nga 2016-ta deri në fund të vitit 2020.

Më pas, në Mars të vitit 2021, ‘partia e emëroi’ në një tjetër detyrë. si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës me një mandat 5 vite.

Tanimë socialistët kërkojnë ta ngrenë sërish në detyrë, duke e emëruar kryetar të këtij institucioni.

Në vitin 2018 Biba u përfshi në një skandal, pas publikimit të një materiali audio, ku dëgjohej se ai, shantazhonte gjyqtarin e Strasburgut, Ledi Bianku, duke i kërkuar që të ndërhynte te Presidenti i asaj gjykate për të pezulluar gjykimet për pronat, të cilat ishin në shqyrtim atje, bazuar në ankimet e qytetarëve shqiptarë. U raportua se përgjimi ishte kryer në vitin 2014.

Kjo ngjarje u përmend dhe në komision nga demokratët, që ishin kundër kandidaturës së tij për tu zgjedhur në krye të Konkurrencës. “Mos të harrojmë që është, jo vetëm me afërsinë politike, por të mos harrojmë që është personi që ka mbajtur një pozicion të lartë shtetëror që është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburgut”, tha deputeti Alfred Rushaj.