Njehsimi i teksteve, Ministri Kosovar: Do jenë gati në muajin shtator

521
Viti akademik 2015-1016 me shumë gjasa do ti gjejë nxënësit në Shqipëri dhe Kosovë me tekste të njëjta.Deklarata vjen nga Ministri i Arsimit të Kosovës sipas së cilit kjo nuk është një ideologji e dy Ministrive, por rruga drejt bashkimit kombëtar mes dy shteteve.
Tiranë- Në muajin shtator fëmijët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë me shumë gjasa do të mësojnë me tekste të njëjta.
Ka qënë kjo deklarata e Ministrit të Arsimit te Kosovës, Arsim Bajrami, sipas së cilit grupet e ngritura të punës nga të dyja palët po punojnë intensivisht për të njëhsuar kurrikulat e arsimit parauniversitar për vitin akademik 2015-2016.
“Kemi zbritur proçesin nga niveli i Ministrave në nivel teknik, grupet tona kanë pasur progres. Keei një kurrikul të unifikuar në arsimin parauniversitar dhe jemi duke punuar që të pregatisim dhe programe unifikuese sa i përket pregatitjes së mësimëdhënësve dhe teksteve mësimore. Urojmë që ky proçes të përfundojë deri në fillim të shtatorit sepse po punohet me intensitet”.
Por puna e përbashkët e dy shteteve nuk do të mjaftojë vetëm me njëhsimin e kurrikulave në arsimin parauniversitar,ashtu sikurse Shqipëria edhe Kosova po bëhet gati për një draft të ri të arsimit të lartë.
“Jemi shumë mirë duke punuar tek arsimi i lartë. Shqipëria ka miratuar ligjin në qeveri dhe do jetë i diskutueshëm në Parlament. Në të njëjtën situatë jemi dhe ne. Dëshirojmë që të kemi korniza unike të sistemit arsimor si një nevojë e domosdoshme e të rinjve tanë që të integrohen nën një edukim pozitiv, nën një edukim të unisuar, të bashkuar në mënyrë që ne vërtet të relativizojmë kufirin tonë”.
Bajrami ishte pjesë e një leksioni me temë: “Argumentimi Juridik- Kushtetues i Pavarësisë së Kosovës dhe Vendimi i GJND-së”, ku nuk shmangu dot komentet edhe për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.
“Lidershipi i Ushtrisë Çlirimtare, ata që themeluan UÇK, ata që e udhëhoqën nuk kanë probleme me këtë gjykatë. Ata thonë po, le të bëhet kjo gjykatë dhe le të shihet. Ne e dimë se çfarë kemi bërë dhe të bëhet. Janë ata më së shumti ata që japin garanci që janë të gatshëm për tu ballafaquar dhe për të nxjerrë të pastër UÇK. Asnjë luftë nuk është pa krime, mund të ketë krime individuale, por për të parë se është bërë një luftë e drejtë”.
Në fund Ministri kosovar ftoi të gjitha shtetet të njohin pavarësinë e vendit të tij.
“Edhe ata që nuk e kanë njohur pavarësisnë e Kosovës duhet ta njohin sepse është një proçes legal, legjitim, që është plotësisht në pajtim me trendet moderne të së drejtës ndërkombëtare”.
Sigal