Një vit pas tërmetit, banorët në Thumanë: Jetojmë ende në çadra…

295
Sigal

Thumana, një fshat që shumë pak ia njihnin emrin para 26 Nëntorit të 2019-tës, vijon të vuajë edhe sot pasojat e tërmetit shkatërrimtar, që do ti merrte jetën 24 banorëve një vit më parë.

Fax News ishte sot në Thumanë, ku ka takuar disa banorë të zonës, një pjesë e të cilëve jetojnë në rastin ”më të mirë” në çadra, dhe në rastin më të keq, brenda shtëpive të dëmtuara në nivelin DC4.

”E kam shtëpinë të dëmtuar në nivelin DC 4, dhe jam i detyruar që të qendroj aty pasi askush nga institucionet nuk ka ardhur që ta shikojë. Më kanë thënë që nuk vjen më komisioni për verifikime, qendroj aty së bashku me gruan”, shprehet një prej banorëve, i cili duket se është lënë në harresë prej një viti.

Një tjetër banor i zonës tregon se qëndron prej një viti në çadër së bashku me gruan e tij, e cila është e paralizuar, dhe e ka të pamundur që të shpërngulet në një zonë tjetër.

“Më krim nuk ka, jo se e bëri shteti, ajo është fatkeqësi natyrore, por është shumë e rëndë. Në çadër kam ndenjur vetë bashkë me gruan, më kanë thënë që do të më bëjnë shtëpi të re, kur të bëhet për të gjithë do bëhet dhe për ne. Shteti përkujdesje u ka dhënë, ne duam sa më shumë, po varet sesi është kjo punë. Tani presim ishalla na bëjnë ndonjë shtëpi, çadra ka filluar që të griset. Unë kam gruan e sëmurë dhe nuk kam ku të shkoj. Na kanë dhënë bonusin e qerasë, por unë nuk kam ku shkoj”, shprehet një tjetër prej banorëve të Thumanës, që ende sot jeton mes gërmadhave.