Një nga njerëzit e afërt të Ramës zgjidhet drejtori i ri i RTSH-së

193
Sigal

Njëri nga njerëzit më të afërt dhe të besuar të Edi Ramës është zgjedhur në krye të RTSH-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar është zgjedhur Enkelejd Joti. Drejtori i ri u zgjodh sot nga Këshilli Drejtues i RTSH-së. Joti u zgjodh me votim të fshehtë të 9 anëtarëve të Këshillit  Drejtues me tre të pestat e votave.

Ai siguroi sipas ligjit shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë procedurën statutuore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër kandidatët që ishin paraqitur si pretendente për këtë detyrë publike.

Kandidatët paraqiten para anëtarëve të Këshillit Drejtues në mënyrë të detajur platformat e tyre, ku përshkruheshin objektivat dhe strategjitë e tyre për drejtimin e Televizionit Publik.

Kandidatët në garë ishin Enkelejdi Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi.

Në mbledhjen e këshillit, anëtarët e tij u drejtuan pyetje secilit prej kandidatëve që hynë në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.

Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm u monitorua nga komisioni ad-hoc i ngritur për këtë qëllim dhe respektoi gjithë procedurat që parashikon statuti i Radio Televizionit Publik.

Joti është aktualisht drejtor i QSUT-së, ndërsa tashmë do të rikthehet nën drejtimin e medias publike, pas eksperiencës së tij në Top Channel.