Një në dy gra në Shqipëri raportojnë se kanë përjetuar dhunë

528
Sigal

Një në dy gra raportojnë se kanë përjetuar një nga format e dhunës. Kështu tregojnë raportet e organizatave për mbrojtjen e gruas. Në kuadër të ditës ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave Prokuroria e Tiranës organizoi një tryezë diskutimi për të sjellë në vëmendje punën e institucioneve përkatëse dhe pengesat për parandalimin e këtij fenomeni. Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, deklaron se vetëm përgjatë këtij viti janë arrestuar dhe shoqëruar 200 persona për këtë vepër penale. ”Këto vepra penale vazhdojnë të mbeten një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare. Kemi mbi 200 persona të arrestuar dhe të dërguar nga ana jonë me masë sigurimi ”arrest me burg”’.

Përfaqësues nga misioni i OSBE në Tiranë duke e konsideruar si një nga shqetësimet më të mëdha dhunën ndaj grave shprehen se lufta duhet të nis që nga arsyet që sjellin këtë fenomen. ”Në raportin që kemi paraqitur për sigurinë e grave, janë përfshirë shumë çështje për mirëqenien e tyre të cilat nuk lidhen vetëm me dhunën ndaj grave por edhe paraqesin shumë informacione për arsyet që nxisin dhunën. Këto të dhëna duhet përdorur për politikat e parandalimit të këtij fenomeni”.

Ekzekutimi i urdhrit të mbrojtjes ishte një nga problemet me të cilat haset edhe organi i akuzës, pasi edhe pse jepen nga gjykata zbatimi i tyre është i vështirë. ”Në praktikë dalin shumë vështirësi për zbatimin e tyre”. Dhuna ndaj gruas në vendin tonë është më e larta në rajon, duke njohur rritje nga viti në vit.