Një guidë turistike që mashtron turistët, ndërsa pogradecarët tallen

1155
Bardhyl Berberi
Ka më shumë se 10 vjet që qarkullon në treg dhe në pikat e informacionit. Ajo është formuluar nga ish kryetari i Bashkisë Artan Shkëmbi dhe ka qëndruar për 8 vjet dhe tashmë ka dhe dy vjet që mbijeton me kryetarin aktual të Bashkisë Edi Kapri. Po le të analizojmë më poshtë anomalitë dhe mashtrimet e kësaj guide .

Në Drilon takova një mikun tim të vjetër, i cili mbante në dorë një guidë: “ Pogradeci çelësi turistik” është një guidë e fundit që unë nuk e kisha parë. Pasi u përshëndetëm më thotë se, ka ardhur në Drilon të flejë një natë tek dhoma që ka fjetur Enver Hoxha. Ngela i habitur, më pas i them mikut tim, se Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjë natë në Drilon. Ai këtu vetëm vinte në formën e piknikut qëndronte disa orë dhe më pas shkonte tek vilat, tek rezidenca qeveritare në Pogradec. Bashkimi hapi guidën në faqen 73 ku shkruhej:

Në dhomën e Enver Hoxhës (citojmë pikë për pikë faqen e guidës )
“Deri në vitin 1990, viti i rënies së sistemit komunist, një pjesë e Drilonit konsiderohej si zonë e ndaluar për popullin e thjeshtë. Enver Hoxha kalonte këtu pjesën më të madhe të periudhës së nxehtë të vitit dhe për të, ishte ndërtuar një vilë prej guri dhe druri. Vendi i preferuar i udhëheqësit komunist tani është shndërruar në një hotel privat ku janë bërë jo pak ndryshime. Falë një pagese që shkon deri në 40 euro, mund të shijoni një natë në dhomën dyshe ku flinte Enver Hoxha. Hoteli ka një atmosferë të ngrohtë dhe në të gatuhen gjellë të vendit dhe të kuzhinës ndërkombëtare. Natën pylli rreth hotelit krijon një atmosferë të magjishme. Heshtjen e thellë e prish vetëm zhurma e ujit që vazhdon të rrjedhë drejt liqenit. Një natë në vilën e Enver Hoxhës me të vërtetë që ia vlen”

Ky ishte teksti i guidës. Ngela i shtangur. 
-Çfarë ke, më thotë miku im, -unë kam qenë i përndjekur dhe në djall të shkojnë 40 euro do të fle një natë në krevatin e diktatorit.

-Ti fli, i them unë, por kur vinte Enveri këtu nuk ka patur hotel. Hoteli është ndërtuar pas vitit 1998 dhe Enveri sikur ka vdekur në vitin 1985, plot 13 vjet pasi kishte vdekur Enveri ! 

Miku im shtangu, por shtanga dhe unë, -hajde ç’broçkulla, thashë me vete ,deri ku shkon reklama dhe mashtrimi. Ai më ndiqte pas qejf prishur duke më përsëritur të njëjtën frazë: “A je i sigurt që nuk ka fjetur Enveri?! …Kjo është padrejtësi vjen tjetri nga Tirana ble një guidë dhe beson tek kjo guidë zyrtare në shqip dhe anglisht ….dhe ngelet i hutuar dhe qorollepsur nga një mashtrim zyrtar …”

-Mirë, atëherë, më tha kolegu, eja të pimë “Një ponç Lasgush Poradecit” e të mbledhim mendjen.
-Po këtë nga na i shpike, i them unë.
-Ja ku e ke, më tha, tek”Çelësi juaj turistik”. Miku im hapi guidën në faqen 50 dhe më lexoi:
“Pasi shëtiste buzë liqenit Lasgush Poradeci ulej tek Hoteli i madh dhe bënte një porosi të veçantë. Vetëm pasi e merrte atë, ulej dhe shkruante mbi blloqet e tij poezitë që e bënë të famshëm. Porosia e tij ishte: Dy gota raki e fortë rrushi ‘Perlë e përzier me ujë të ngrohtë dhe pak sheqer. Që nga koha kur e pinte Lasgush Poradeci kjo lloj pije u quajt nga kamerierët e vjetër “Ponçi Lasgush”. Më poshtë guida vazhdon…

“Provojeni një herë, mbase me anën e tij mund të zbuloni edhe talentin tuaj të fshehur prej shkrimtari.” “Ponçi “Lasgush” i shoqëruar me një kafe të fortë turke bën mirë si në mëngjeset e freskëta anës liqenit gjatë verës, ashtu edhe në ditët e ftohta me dëborë. Sot në Pogradec të gjitha lokalet ia dinë formulën kësaj pijeje të veçantë. Por duke porositur atë, do të keni rast të provoni edhe nëse ata që iu shërbejnë janë pogradecarë të vërtetë e të vjetër apo jo!”

Kolegu im u rropat lokal në lokal, por ponçin e Lasgushit nuk e gjeti asgjëkund, ai ekzistonte vetëm në “Çelshin turistik” të Pogradecit…
Të nesërmen kishte vendosur të shkonte në Manastirin e Shën Naumit edhe kjo një reklame nga “Çelësi turistik” ne faqen 39 të po kësaj guide turistike tek kapitulli “Çfarë mund të vizitoni në Pogradec është planifikuar edhe një vizite në manastirin e Shën Naumit: ku ndodhet një kishë e vogël dhe brenda saj varri i Shën Naumit …dhe më poshtë jepen vlerat unikale të afreskeve dhe ikonostaseve që ndodhen aty të gdhendura qysh në vitin 1711. Aty ndodhet edhe varri i Shën Naumit një dishepull i shek X …”

Mirë i them kolegut tim: “Të vaftë rruga e mbarë, por a ke siguracion ndërkombëtar për makinën, pasi Manastiri i Shën Naumit ndodhet në pjesën maqedonase të kufirit …Si për t’i freskuar kujtesën i them, se ti e di që atë e ka shitur Ahme Zogu tek fqinjët që në kohën që ishte mbret i Shqipërisë !…-Edhe , – ma preu me gjysmë zëri kolegu … – Bli një siguracion ndërkombëtar për veturën që kushton 40 e ca euro dhe shko vizitoje manastirin e Shën Naumit …Miku im u zbardh si ato statujat e Greqisë duke mbajtur “Çelësin turistik të Pogradecit” si një dopio gjashte dominoje që të ngelet në dorë. Për hir të së vërtetës ky çelës turistik ishte hartuar nga ish kryetari i Bashkisë Artan Shkëmbi që 11 vjet si kryetar Bashkie e prezantoi Pogradecin me këtë guidë turistike. Por çuditërisht ka dy vjet që Bashkia është ndërruar me kryetar tjetër dhe vazhdon me të njëtin çelës turistik të Pogradecit. Nuk e dimë se drejtuesit e ri të Bashkisë që kanë gati 24 muaj në drejtimin e Bashkisë dhe në qarkullim vazhdon të jetë e njëjta guidë turistike ose siç quhet ndryshe “Çelësi turistik” i Pogradecit që po i qorolleps turistët vendas dhe ata të huaj me këto broçkulla të pavërteta …ndërsa pogradecarët vendas që i dinë të vërtetat tallen me Bashkinë dhe prodhimet e saj propagandistike 
Sigal