Një grua, përballë një tufë zyrtarësh të korruptuar

633
Rrëfimi i Dafina Pecit, gruas nga Gjinari tregon fytyrën e vërtetë të këtij shteti edhe në rrethe, edhe në zonat e largëta malore, kodrinore, e fushore, tregon se si zaptohet, vidhet, fallcifikohet, grabitet, ndryshohet prona e ligjshme 
E ndërsa politika zihet e grihet çdo ditë për gjoja “Reformën në Drejtësi”, duket se ata që përfitojnë nga sherret e tyre janë zyrtarët e rretheve, janë strukturat më të korruptuara që po u nxijnë jetën qytetarëve, që po u marrin paratë, pronat, bizneset dhe gjithçka tjetër me forma të paligjshme. Rrëfimi i Dafina Pecit nga Gjinari tregon fytyrën e vërtetë të këtij shteti edhe në rrethe, edhe në zonat e largëta malore, kodrinore, e fushore, tregon se si zaptohet, vidhet, fallcifikohet, grabitet, ndryshohet prona e ligjshme dhe se si mund të blesh me para policin, shefin e komisariatit, shefin e INUV, drejtuesin e ZRPP dhe strukturat e tjera të këtij shteti. Duke folur për “Telegraf” Dafina Peci, banuese në Gjinar të Elbasanit, ka treguar me shqetësim të madh, një ngjarje e cila ka jo pak, por rreth 6 vjet që e ka lodhur, sfilitur, denigruar dhe rrënuar ekonomikisht dhe psiqikisht. Nga viti 1993 me kursimet e dy djemve të saj, Dafina Peci ndërton një pikë të vogël karburanti, duke punësuar atje veten, burrin dhe një njeriun e saj. 

Përgjatë gjithë këtyre viteve, Dafina është tatimpaguese e rregullt, paguan detyrimet ndaj shtetit, por qetësia e saj familjare do të prishej një ditë të bukur, kur jo më shumë se 400 metra larg pikës së saj të karburantit, kishin nisur të gërmonin dhe punonin mjetet e rënda të një personi, të cilin ajo e njihte pak. Dafina tregon se “drama ime ka nisur dhe vazhdon të jetë akoma edhe sot, për faj të këtij shteti që kemi ndërtuar dhe po e mbajmë me taksat tona prej 20 e ca vitesh, dhe që i besuam votën. Drama ime ka nisur kur pranë biznesit tim të lodhur nga taksat dhe gjobat, nisi të ngrihej një tjetër biznes i njëjtë, nga njerëz të lidhur me pushtetin, nga njerëz që japin para për të fallcifikuar dosje, dokumente, për të mbushur xhepat e policisë, drejtuesve të INUV Elbasan, për të mbushur xhepat e ish-drejtuesve të ZRPP Elbasan dhe duke më kërcënuar hapur fare mua, burrin, djemtë dhe madje edhe dhëndrin tim me vajzën deri në Greqi”. Duke vazhduar rrëfimin e saj, zonja Dafina e tronditur u shpreh se “kam 6 vjet që rropatem dyerve të policisë së Elbasanit, që denoncoj shtetasin Panajot Qosja, që punon me biznes të paligjshëm, që ka fallcifikuar dokumentacionin e dosjes që ka sot në ZRPP, që ka korruptuar gjysmën e policisë, INUV Elbasan dhe që nuk ndalet duke më kërcënuar çdo ditë mua dhe familjen time, duke tentuar të më vrasë me makinë rrugëve dhe duke më deklaruar se “unë do të fitoj, sepse i mbaj me lekë ata tek të cilët ti ankohesh”. Shteti në Elbasan, përballë një gruaje e cila ka dalë e vetme në tapet. 
Sekserët e zyrtarëve
Një tufë zyrtarësh, me dhe pa uniformë nuk arrijnë të bëjnë zap një njeri, që pretendon se ka pronë, por që nuk ekziston në asnjë regjistër të ZRPP, në Kadastra, e ish-komuna, një njeri që është dënuar nga gjykata e Elbasanit, por që e ka ndryshuar dhe konvertuar dënimin në gjobë, duke u mbushur xhepin me para gjyqtarëve, një njeri që ka blerë edhe drejtuesit e INUV dhe INUK. Dafina u shpreh se “në organin e Prokurorisë Elbasan kam 3-4 vjet që depozitoj foto nga vendi i ngjarjes në Gjinar, të cilat mi ka kërkuar edhe sekretaria e Kryeministrit Rama lidhur me problemin tim, kam 3-4 vjet që kallëzoj penalisht veprimet dhe aktet kriminale të një njeriu, i cili duhej të ishte burgosur pasi punon në të zezë, ka zaptuar tokën e dikujt, ka fallcifikuar shkresa zyrtare dhe dokumente zyrtare, dhe ka shkelur e pakta në 10 raste ligjet e këtij vendi, gjithë institucionet e shtetit dhe shumica e zyrtarëve në Elbasan, janë kundra meje dhe pro atij që zapton, grabit, shan dhe fyen, kërcënon çdo ditë me jetë një grua dhe familjen e saj”. Dafina Peci është gruaja nga Gjinari që ka 6 vjet që nuk gjen qetësi, që thërret për ndihmë strukturat e shtetit, dhe ato e braktisin, që u shkruan letra dhe mesazhe ministrave duke nisur nga Sajmir Tahiri, Edmond Haxhinasto dhe kryeministrit Rama, dhe nuk merr asnjë përgjigje serioze, por thjesht e drejtojnë në drejtime të paditura. Zonja Dafina u shpreh se “jam në rrezik për jetën time, të familjes dhe njerëzve të mi, nga një njeri i vetëm që pasi më groposi biznesin e ndershëm, ka sfiduar shtetin në Elbasan, ka blerë zyrtarë të kollarisur dhe ata me uniformë, dhe që ndoshta një ditë do të zaptojë edhe pronën time, ashtu siç zaptoi tokën e tjetrit fare pranë meje me dokumente fallco”. Ajo i bën thirrje ministrit të Brendshëm, zotit Tahiri të mbledhë policët apo “çunat” e tij në Elbasan, t’i mbledhë dhe t’i vërë në punë, pasi deri sot ata kanë luajtur të paktën me Dafina Pecin rolin e “sekserit apo kodoshit të parasë” dhe jo rolin e mbrojtësit të rendit dhe ligjit, duke rrezikuar jetën e një gruaje dhe familjarëve të saj. Dafina tha se “mëngjesin e kësaj të premte i kam nisur sërish letra kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, por pak shpresa kam se do të marr prej tyre një përgjigje serioze dhe pozitive, sepse e di se përgjigja e tyre varet nga përgjigja që japin vartësit e tyre në Elbasan, ata që janë njollosur me korrupsionin e konkurrentit tim të paligjshëm, që ka vite që sfidon shtetin edhe në Gjinarin malor”. 
Sigal

Maksim TUFA