Një Flamur Kombëtar shitet sa çmimi i gjelit të Vitit të Ri

889
Sigal

BERAT/ Tregtarët shfrytëzojnë patriotizmin shqiptar, shesin një flamur 30 mijë lekë. Qytetarët: Ku është shteti?!

Tregtarët shfrytëzojnë patriotizmin shqiptar, duke rritur çmimet e flamurit. Në shumë pika tregtimi në qytetin e Beratit dhe qytetet e tjera të këtij qarku, tregtarët duke shfrytëzuar momentin kanë ngritur çmimet e Flamurit Kombëtar. Ky veprim ka shqetësuar dhe irrituar banorët e qytetit dhe rrethinave të tij, të cilët udhëtojnë kilometra të tërë për të blerë një flamur, si patriotë që janë. Ditët e para tregtarët matën fluksin e qytetarëve. Duke llogaritur shitjet e larta të flamurit rritën çmimin, pa marrë në konsideratë se patriotizmi i shqiptarëve nuk lidhet me çmimet, që luajnë tregtarët e pangopur. Kështu një flamur 10 mijë lekë tanimë po shitet 30 mijë lekë, një çmim i papranueshëm nga blerësit, të cilët ikin duke u zënë me tregtarin abuzues dhe duke fajësuar shtetin që në të tilla raste është inekzistent. Halim Nasufi, 71 vjeç, banor i lagjes “30- Vjetori” shprehet për këtë rast se me çmimin e flamujve po luhet njëlloj si me çmimin e gjelit të detit që shitet për Vitin e Ri. Abuzimi sipas tij e ka kaluar cakun, prandaj qytetarët t’i mbajnë ato lekë dhe të blejnë kaposhin për Vitin e Ri, se një çmim kanë.

Situata

Shumë prindër dhe kryefamiljarë me fëmijët e tyre prej dorë këto ditë iu janë drejtuar pikave të tregtimin për të blerë një flamur për ta vendosur më pas nëpër banesat e tyre, nën moton “Një flamur në çdo dritare”.  Një pjesë, Flamurin Kombëtar e kanë vendosur nëpër makinat dhe autobusët e linjave, ndërsa një pjesë tjetër nëpër lokale. Tregtarët duke parë fluksin e madh të njerëzve që kanë dëshirë të blerë flamurin e Pavarësisë menjëherë kanë ngritur çmimet në mënyrë drastike. Kjo ka shqetësuar shumë qytetarët, të cilët kanë reaguar ashpër duke u shprehur se në këtë 100-vjetor të gjithë ndihen shqiptarë dhe ata do ta blejnë një flamur dhe do e vendosin në ballkonin e tyre që të valëvitet ashtu siç u valëvit në ballkonin e banesës së Pavarësisë në Vlorë. Sipas një vëzhgimi të bërë, duket sikur pas rritjes së çmimit edhe kërkesa blerëse ka rënë. Interesi i qytetarëve nuk është më si në fillim edhe pse 28 Nëntori po afron. Qyteti i Beratit ka ndryshuar disi për shkak të ngjyrës kuq e zi. Të veçantën ia jep më shumë lagjja “Mangalem”, e cila është mbushur me flamuj nga kontributi i qytetarëve, pasi bashkia pati mundësi të bënte vetëm dekorin e bulevardit dhe të disa institucioneve shtetërore.