Nishani: Uron Presidentin Macron me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Franceze

579
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Bastijës, në të cilin shkruhet:
“I nderuar Zoti President,
Kremtimi i Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell juve personalisht dhe të gjithë qytetarëve francezë, urimet më të mira e të sinqerta.
Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, konstatoj me kënaqësi se marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona janë zhvilluar e zgjeruar edhe më më shumë në dy dekadat e fundit. Në traditën më të mirë, një vemendje shumë e veçantë i është kushtuar në vijimësi bashkëpunimit në fushat e kulturës dhe arsimit, duke i forcuar edhe më tej lidhjet miqësore mes dy vendeve e dy popujve tanë.
Përfitoj nga rasti që të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer që Franca i ka dhënë Shqipërisë ndër dekada, si në drejtim të zhvillimit e konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, ashtu edhe në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe BE. Ju siguroj se si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave të thella e të nevojshme, e bindur se vetëm kështu do të përmbushen kriteret e aderimit dhe arrihen standardet më të mira evropiane.
Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj dhe zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Francës, ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”
Sigal