Nis punën komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit, Hyseni: Mbledhje konstituive. Ja objektivi. Murrizi: Të kërkohet informacion nga agjencitë e zbulimit

58
Sigal

Ka nisur nga puna komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit. Mbledhja e parë, një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin për ngritjen e tij bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Kryetari i Komisioni Alket Hyseni tha në fillim të seancës se kjo është një mbledhje konstituive teksa më pas u ndal tek qëllimi i ngritjes së këtij komisioni dhe detyrat.

“Objektivi përcaktohet nga vendimi i parlamentit për ngritjen e këtij komisioni, i iniciuar me kërkesën e deputetëve”, tha Hyseni. Deputetja e PS Klotilda Bushka u zgjodh sekretare e komisionit hetimor në unanimitet.


Anëtari i Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Spartak Braho, gjatë mbledhjes së parë të këtij komisioni, propozoi që asnjëri nga anëtarët të mos dalë e të prononcohet në media.

Ai tha ndër të tjera, që krahas të dhënave me shkrim, në lidhje me shkeljet e supozuara ndaj Presidentit, të ilustrohen edhe pamje filmike, në mënyrë që të bëhet më e thjeshtë për publikimin.

“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që presidenti është kështu apo ashtu. Të caktohet dikush që të flasë për mediat. Ne do të na nevojitet të njohim jo vetëm deklarimet e Presidentit, por edhe filmimet, nuk i duam vetëm të shkruara duhet të kemi tabelën e të shohim publikisht të gjitha imazhet që akuzohet Presidenti. Kjo është më mirë për ne kur i shohim, dëgjojmë, por edhe për publikun”, tha Braho.

Nga ana tjetër, Alket Hyseni, i cili është dhe kryetari i këtij komisioni, e mirëpriti propozimin e Brahos, e tregoi hapat që do të ndjekë ky komision.

“Përtej bindjeve tona politike, misioni ynë është ndaj Kushtetutës dhe ligjit. Në jetën parlamentare nuk është kënaqësi të ketë ngjarje të tilla, por në kushtet që jemi duhet ta marrim me gjakftohtësi. Sjellja e këtij komisioni duhet të jetë e rregullt. Sa i takon planit të hetimit, paraqesim sot një plan paraprak, që patjetër nuk është përfundimtari.

Në mënyrë që të krijojmë një ekspoze të plotë, apo problemet që mund të dalin nga dëshmitarë, institucione. Sa i takon planit të sotëm, që është detyrë e kryetarit, bazohet në ngritjen e hetimit dhe të drejtën që ka Presidenti për t’u shprehur në këtë komision. Ky komision përtej të drejtës së Presidentit, ka të drejtën të thirrë Presidentin në një dëgjesë që do të jetë e nevojshme. Pikë tjetër e planit paraprak është marrja e të dhënave, këtu do të mbahet parasysh kërkesa juaj që të kemi pamje filmike apo të dhëna nga AMA mbi publikime, në rrjete sociale, apo media të caktuara. Pikë e katërt është përgatitja e planit përfundimtar të hetimit.
Do të ketë pikë të pestë për marrjen e ekspertëve vendas apo të huaj. Duhet të kemi konsulentët e ekspertëve, që do të na ndihmojnë në çështje të doktrinës, apo jurisprudencës së Gjykatës tonë, apo atyre Evropiane.
Do të kemi një dëgjesë me Presidentin e Republikës. Do të miratohet raporti përfundimtar, e më pas, do të jetë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për të vendosur nëse ka shkaqe të parashikuara nga Kushtetuta për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Do të mblidhemi që ta përmbushim detyrën tonë me kujdes”, u shpreh Alket Hyseni.

Deputetja Vasilika Hysi mbështeti propozimin e Brahos, teksa kërkon që të ketë një informacion për mediat nga komisioni.
“Edhe në kuadër të transparencës të ketë një njoftim për gazetarët që të japë një informacion për çfarë është diskutuar dhe vendimet. Do ishte e dobishme me qëllim që asnjë nga ne të mos flasë. Që nga ky moment, sugjerimi im nuk kemi asnjë të drejtë të dalim në media, të prononcohemi dhe të shprehemi për sa kohë jemi anëtarë të këtij komisioni. Por mediat kanë nevojë të kenë një njoftim”, tha Hysi.
Po kështu nga deputetja Klotilda Bushka kërkoi që në planin paraprak të hetimit të jenë dhe opinionet e Komisionit të Venecias.
“Do kërkoja që në vijim të propozimit të z. Braho të shtohet dhe e gjithë gama e opinionit te Venecias për këtë çështje. Ne njoftohemi për një plan paraprak hetimi dhe pasi mbaron faza do të kemi një moment të dytë ku do të miratojmë planin përfundimtar të hetimit. Opinionet e Komisionit të Venecias duhet të jenë pjesë e planit paraprak të hetimit”, tha ajo.
Teksa kreu i Komisionit Alketa Hyseni foli për përdorimin e një termi të gjerë.

Nga ana tjetër deputeti Myslim Murrizi propozoi t’i kërkohet informacion agjencive të zbulimit se si kanë ndikuar deklaratat e Presidentit.
“Tek hapat procedurale që do të ndiqen nga komisioni. Do doja që në emër të komisionit, t’i kërkohej informacion zyrtarisht agjencive ligjzbatuese, SHISH etj për t’u njoftuar si komision se çfarë informacionesh kanë pasur gjatë 30 ditëve fushate. Çfarë ndikimi kanë pasur në kontingjente deklaratat e presidentit për nxitje dhune. Si e kanë parë ata situatën në underground?”, deklaroi Murrizi.

Ngritja e komisionit hetimor u votua me 97 vota pro dhe 6 kundër. 49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.