Nis procedim penal ndaj 12 prokurorëve të Korçës

661
Sigal

Ministria e Drejtësisë/ Raport Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Prokurorit të Përgjithshëm

Ministria e Drejtësisë kërkon fillimin e procedimit penal për 12 prokurorë në Prokurorinë e Korçës. Raporti i është dërguar dje Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Shkeljet janë konstatuar gjatë kontrollit të ushtruar nga Ministria e Drejtësisë në muajin prill të këtij viti me objekt ecurinë e politikës penale e në veçanti e politikës së dënimit të ndjekur nga prokurorët e prokurorisë së Korçës përgjatë vitit 2011. Nga inspektimi ka rezultuar se ekzistojnë shkelje procedurale në 39 raste të qëndrimit të prokurorit në gjykim, të cilat iu atribuohen 12 prokurorëve. Nga 10 procedime penale te inspektuara për të gjykuarit, me masë sigurimi “arrest në burg”, në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, që përfshijnë veprimtarinë e 1 prokurori të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve për periudhën objekt kontrolli 1-31 Tetor 2011, kanë rezultuar me shkelje 5 prej tyre ose 50% te rasteve te kontrolluara. Në 212 çështje , 39% te tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka kërkuar masa dënimi në minimumin e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse penale. Në 27 raste, këto minimume dënimi, janë shoqëruar edhe me kërkesën e prokurorit për aplikim të alternativave të dënimit me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burgim sipas neneve 59 e 63 të K.Penal. Të gjitha këto çështje nuk janë ankimuar nga prokurori, duke e mbyllur në shkallën e parë të gjykimit, me dënime të kërkuara në minimum dhe të ulura nën minimum për shkak të gjykimit të shkurtuar të pranuar nga të gjitha palët. Bazuar ne raport Ministria e Drejtësisë vëren për 12 prokurorët se kane ushtruar një politike të butë dënimi të orientuar drejt kufijve minimalë të dënimit, mungesë efektiviteti të përdorimit të mjetit të ankimit dhe mosrespektim të afateve ligjore në ekzekutimin e vendimeve.