Nis hetimi i aktivitetit të kompanive karburanteve, që kanë “llogari” me import-eksportin, transaksionet dhe…

554
Përparim HALILI
Nis hetimi i aktivitetit të kompanive karburanteve, që kanë “llogari” me import-eksportin, transaksionet dhe tenderët në institucione
Ndërkohë që policia shqiptare, ka nisur aksionet për zbulimin dhe sekuestrimin e automjeteve luksoze, të blera me milionat e krimit të drogës dhe për bizneset e vendosura nëpërmjet drogës e pastrimit të parave të pista, shërbimet e specializuara ndërkombëtare të anti-krimit ekonomik-financiar evropian që monitorojnë Shqipërinë, kanë nisur hetim të imët për aktivitetin doganor e tregtar të disa kompanive dhe firmave të hidrokarbureve. Procesi i hetimit po bëhet në bashkëveprim edhe me strukturat e “Vetting”-ut, për të zbuluar lidhjet me shtetarë e ish-shtetarë të lartë. Ky hetim që është koduar “Distributori i krimit”, ka si synim të zbardhë “llumin” e korrupsionit dhe trafiqeve që bëhen prej disa kompanive shqiptare të tregut kombëtar, ballkanik, evropian e ndërkombëtar në sektorin e hidrokarbureve, shumica e të cilave, për shumicën e sasive të karburanteve, vazhdojnë të punojnë me letra fiktive në këtë treg, shpesh edhe pa kryer veprimtari faktike! Në listën që kanë hartuar këto shërbime, janë futur shumë nga firmat shqiptare që merren me importin, eksportin, depozitimin, magazinimin, kalimin transit, përpunimin, shitjen me shumicë tek të dytë e të tretë, transaksionin fizik fiktiv nëpër firma të krijuara enkas prej tyre me emra të tjerë, tregtimin me pakicë nëpër distributorë dhe gjoja humbjet! Në krye të listës, janë vënë kompani që kanë aktivitet importi me porosi. Janë futur në listë, kompani që kanë zhvilluar dhe vazhdojnë aktivitet tregtar, me sektorët shtetëror të prodhim-përpunimit të hidrokarbureve. Po kështu janë skeduar në këtë proces hetimi edhe kompanitë, që kanë ushtruar dhe ushtrojnë shitje intensive të produkteve, tek institucionet shtetërore nëpërmjet tenderëve, ku këto firma, sipas burimeve tona nga grupi hetimit dhe nga vetë institucionet, nga APP e KPP, marrin pjesë edhe duke bërë “rotacion”, bashkime e n/kontraktime, paraqitje fiktive pa letra, tërheqje e “marrëveshje” të tjera, me objekt fitimin dhe ndarjen e “thelave” të këtyre tenderëve që janë në miliarda lekë e me cilësi të dobët deri shkatërruese për automjetet, me çmime 20-15% më të larta se tregu i lirë çdo 1 litër karburant, duke pasur si mbështetje pazaret që ata bëjnë me shtetarët! Hetimi ka nisur dhe po punohet në dy grupe: Grupi bazë i hetimit ka zbarkuar në Shqipëri, ku ka marrë të drejtën e plotë për të hapur letrat dhe grupi tjetër është jashtë Shqipërisë, ku po heton gjithë aktivitetin e blerjes dhe futjes së hidrokarbureve në territorin shqiptar, ku gazeta “Telegraf” do të jetë mbështetëse e këtij hetimi me publikimin e informacioneve të investigimeve që ka kryer.
Sigal