Nis ” beteja” për regjistrimin në gjimnaze

2364
Krahas universiteteve, nis edhe beteja për gjimnazet
Raportohet për një fluks të madh kërkesash, por regjistrimet do të bëhen sipas kritereve të forta, që janë vendbanimi dhe mesatarja
Gushti do të jetë një muaji jo i lehtë si për ata që e përfunduan shkollën e mesme këtë verë, edhe për ata që do ta nisin pas pak javësh. Duke nisur nga java e fundit e muajit gusht, gjimnazet do të kryejnë regjistrimin e nxënësve të rinj që do të pranojnë pranë tyre. Drejtorja e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, Teuta Dobi, bëri të ditur për mediet se ka një fluks të madh kërkesash, por regjistrimet do të bëhen sipas kritereve të forta, që janë vendbanimi dhe mesatarja. “Kërkesa është shumë e lartë, kanë filluar që tani, por në fakt tani nuk bëjmë regjistrime. Regjistrimet janë java e fundit e gushtit dhe java e parë e shtatorit. Në gjimnazin “Sami Frashëri” i takojnë që të vijnë të regjistrohen nxënësit e shkollave 9-vjeçare ‘Fan Noli’, ‘Lidhja e Prizrenit dhe ‘Servete Maçi’. Sigurisht që në vite janë pranuar edhe nga shkolla të tjera, por kriteri kryesor për të ardhur në gjimnazin tonë, duke pasur parasysh nivelin e lartë që ka, ne marrim nxënës me mesataren 10 dhe, përveç këtij kriteri, banesa duhet të jetë afër”, u shpreh drejtuesja e gjimnazit. Për të dytin vit radhazi, gjimnazi “Sami Frashëri”, ku janë të regjistruar 2 mijë nxënës, është shpallur nga Ministria e Arsimit gjimnazi publik më i mirë në vend, duke lënë pas kështu edhe “Ismail Qemali”-n. Rezultatet kanë qenë të matshme edhe në provimet e Maturës, ku për herë të parë këtë vit, në tre provimet me detyrim nuk ka rezultuar asnjë maturant mbetës nga “Sami Frashëri”, ndërsa në provimet me zgjedhje vetëm dy. “Gjimnazi “Sami Frashëri” ka dy vite rresht që në Kartën e Performancës së shkollës renditet i pari, është gjimnazi më i mirë publik. Për herë të parë nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dalin 100%, s’patëm asnjë mbetës në provimet e Maturës bazë, që ishin Anglishtja, Gjuhë-Letërisa dhe Matematika. Patëm vetëm dy nxënës në provimet me zgjedhje. Në Matematikë patëm 352 nxënës me 9 dhe 10, që është një rezultat shumë i mirë, asnjë 4”, u shpreh drejtoresha Dobi.

Pas “Sami Frashërit”, i dyti ndër gjimnazet më të mira publike në vend është renditur “Ismail Qemali”, më pas gjimnazet “Qemal Stafa” dhe “Petro Nini”.

Ndërkohë, për sa u përket shkollave të larta, gjatë ditëve të ardhshme pritet të bëhet shpallja e fituesve dhe më tej procesi i gjatë dhe i vështirë i regjistrimit e seleksionimit. Ky proces, që nisi më 20 korrik, do të vazhdojë deri në muajin tetor, kur do të nisin studimet e larta edhe maturantët që tashmë janë në procesin e aplikimit. 
Sigal