Nipi i Hysni Kapos denoncon ‘kapot’ e politikës shqiptare

1384
Nëpërmjet dokumenteve të siguruara nga selia diplomatike në Tiranë, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme e Konfederatës Zvicerane ka filluar një hetim ndërkombëtar për mashtrime financiare, ku janë implikuar dhe zyrtarë të lartë, juristë, biznesmenë shqiptarë etj. Edhe Prokurorit të Përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla i janë paraqitur dy kallëzime penale nga avokati shqiptar me banim në qytetin zviceran Oberuzwill Mirjan Kapo. Para nisjes për vizitë në SHBA, kreu i Akuzës shqiptare ka ngarkuar drejtorinë e Task-Forcës t’i drejtohet prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë të Tiranës për verifikimin e kallëzimit penal të shtetasit Mirjan Kapo. Ndërkohë mësohet se, ndonëse në kallëzimin penal janë paraqitur 25 dokumente, drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit Petrit Fusha ka ftuar Kapon që të hënën, më 4 prill 2016, të paraqitet në këtë prokurori për të shpjeguar faktet objekt kallëzimi. Ndërkohë avokati ka kërkuar nga përfaqësitë diplomatike të BE-së, Italisë, Francës, Konfederatës Zvicerane, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Spanjës, Turqisë, Norvegjisë, Indisë, Bullgarisë etj. që të ushtrojnë ndikim në organet kompetente shqiptare për mbrojtjen fizike të tij para vajtjes në prokurorinë e Tiranës për shkak të kërcënimeve me jetë që ka marrë, nipi (djali i vëllait) i Hysni Kapos. 

Kërcënimi

Drejtësia norvegjeze, Interpoli, karabinieria italiane, shpallin një shqiptar në kërkim ndërkombëtar, qysh në shkurt 2012, por ende vazhdon i paprekur në mes të Athinës. Avokati Mirjan Kapo i ka kërkuar qysh më 29 qershor 2013, ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj të ndërhynte pranë homologëve grekë për ekstradimin dhe dërgimin para drejtësisë norvegjeze dhe franceze të shtetasit shqiptar Tan Pavari, që jeton i pashqetësuar në Athinë, madje në një adresë publike: Isminis 14, Athinë. Burgaj nuk ka reaguar ndaj kërkesës së një avokati që kërkonte mbrojtje për atë vetë dhe klientin e tij Niko Bozo, që të dy të kërcënuar me jetë nga Pavari, sipas Kapos. Kjo ngjarje ka një ngarkesë të madhe, pasi më 7 shkurt 2012 gjykata dhe prokuroria norvegjeze, sekretariati i Interpolit në Lion dhe karabinieria italiane e kanë shpallur në kërkim, pasi është i dënuar në mungesë në Oslo me 10 vjet burg për mashtrim bankar me vlerë 5 milionë dollarë (shih faksimilen e vendimit të gjykatës së Oslos, njoftimin për Interpol-in dhe karabinierinë italiane). Pavari “prej disa vjetësh jeton i lirë në Greqi, ku së bashku me disa të tjerë vazhdon një veprimtari të rrezikshme kriminale. Për këtë arsye ai është proceduar dhe është në ndjekje nga drejtësia franceze. I përkrahur nga politikanë dhe njerëz me influencë në të dy shtetet (Greqi, Shqipëri), ai i shmanget zbatimit të ligjit”. Vetë gjykatësi norvegjez në kërkesën për arrest ndërkombëtar shkruan për një “lëmsh mashtrimi ndërkombëtar” (internasjonal svindel floke). Të tilla mashtrime ka bërë dhe në Itali, SHBA. Në denoncimin që ka bërë avokati Kapo para trupit diplomatik në Tiranë (ambasadorëve të SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë, Turqisë, Zvicrës, Norvegjisë, Indisë, Bullgarisë), thotë se Pavari “bashkë me njerëz të tjerë, në vendet që përfaqësojnë, ka ndërtuar një grup të krimit të strukturuar me rrezikshmëri të lartë. Duke përdorur instrumente të sofistikuara bankare ata bëjnë pastrim parash të pista. Të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari janë të larta dhe korruptojnë shumë njerëz. Avokati ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Greqi dhe Komisionin Evropian. Bashkëpunëtorët kryesorë janë: Eftasios Basios (shtetas grek-zviceran); Miami International Bank-Londër; Francisko Sabater Cabanes, Sporter Valencia Spanjë; Rosa Del Medico, drejtor i International Financial Holding Ltd.; H.S.B.C. Bank, Zvicër; Commerzbank AG Hamburg, Gjermani; Deutsche Bank, E 12 Frankfurt am Main, Gjermani; Garanti Bankası A.Ş., Turqi etj”.

Transaksioni, 500 milionë euro

Për hir të sekretit hetimor nuk po bëhen publikë emrat VIP, të akuzuar për vjedhje të pasurisë shtetërore në shuma të mëdha të kryera në bashkëpunim. Vetëm po përmendim faktin se Kapoja ka kërkuar bllokimin dhe sekuestrimin e llogarisë bankare të çelur nga ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të diktaturës komuniste Hysen Shahu, më 3 janar 2001, në Lugano të Zvicrës në emrin e shoqërisë helvete “Tradex und Baltranz”. Bëhet fjalë për nënshkrimin e kontratës së depozitave të karburantit në portin e Durrësit pas bisedimeve të zhvilluara në Lugano, ku u morën një sasi e madhe lekësh që kanë kaluar fshehurazi nga porti i Durrësit. Po ashtu në 25 dokumentet e depozituara hidhet dritë për rrezikshmërinë e theksuar të veprimtarisë kriminale të strukturuar që ka dëmtuar interesa kolosalë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Përkrahës të këtij grupi, sipas Kapos, shtrihen thellë në administratën e lartë shtetërore dhe klasën politike. Flitet për transaksion 500 milionë euro, ndërtimin e disa rezorteve turistike në Durrës e Vlorë etj. 

Po botojmë faksimile dokumentesh dhe po zbardhim dy prej tyre

Dokumenti 1: Letër, Hysni Burgajt

“Durrës, më 29.06.2013. Për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj. Për dijeni: Ambasadorit të SHBA z. Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE z. Ettore Sequi, Ambasadës së Greqisë, Ambasadës së Francës, Tiranë.
Z. Drejtor, e ndiej për detyrë urgjente t’ju informoj dhe njëkohësisht të kërkoj ndërhyrjen tuaj. Strukturat në varësinë tuaj janë në dijeni të faktit se shtetasi shqiptar Tan Pavari është një i kërkuar nga Interpoli. Ai prej disa vjetësh jeton i lirë në Greqi, ku së bashku me disa të tjerë vazhdon një veprimtari të rrezikshme kriminale. Për këtë arsye ai është proceduar prej meje dhe është në ndjekje nga drejtësia franceze. I përkrahur nga politikanë dhe njerëz me influencë në të dy shtetet (Greqi, Shqipëri), ai i shmanget zbatimit të ligjit. Për këtë veprimtari të tij dhe shokëve të tij unë kam njoftuar trupin diplomatik dhe Komisionin Europian dhe kam kërkuar mbrojtje. Mbrojtjen e kam kërkuar, sepse ai, personalisht, me anë të telefonit dhe miqve të tij në Shqipëri, ka kërcënuar jetën time dhe të klientit tim, z. Niko Bozo. Ju duhet të ndërhyni pranë autoriteteve homologe të Greqisë. Kjo bëhet e domosdoshme, pasi kërcënimet për jetën vazhdojnë me intensitet. Bashkëngjis këto dokumente: vendimin e gjykatës norvegjeze, letrën dërguar trupit diplomatik, e-mail-in e dërguar nga studioja e avokatisë në Francë, që është dakord për të njoftuar trupin diplomatik, dy dëshmi të shtetasve shqiptarë, e-mail-in dërguar Drejtorisë së Policisë së Greqisë. Me respekt. Avokat Mirjan Kapo”.

Dokumenti 2: Deklaratë

“Datë 9 maj 2013. Unë, i quajturi Julian Prifti, i datëlindjes 22 mars 1980, lindur dhe banues në qytetin e Fierit, deklaroj se njoh mirë: Tan Pavarin, qytetar shqiptar me banim në Athinë, Greqi; Efstathios Basios, me nacionalitet grek-zviceran, banues në Golargo në Athinë, Greqi; Francisco Sabater, Cabanes Sporter Valencia; Aristides Stathatos, shtetas grek me banim në Athinë, në adresën Isminis 14, Athinë, Greqi; Lorenzo Vicentini, italian dhe banues në Itali. Unë kam punuar si shofer i këtij grup në Athinë. Jam në dijeni të të gjitha mashtrimeve që kanë bërë. Jam dakord plotësisht me pretendimet e zotit Nikolla Bozo. Ai ka ardhur disa herë në Greqi për të kërkuar fatin e investimeve të tij. Personat e mësipërm të këtij grupi kriminal më kanë mashtruar edhe mua personalisht dhe nuk më kanë paguar për shërbimet dhe punën që kam bërë si shofer i tyre. Në Shqipëri mësova se Tani është i kërkuar nga Interpoli, por e ndihmon vëllai i Aristides Stathatos-it, i quajtur Kostas Stathatos, banues në zonën Hekali të Athinës, aty ku ushtron aktivitetin e tij tregtar kozmetik. Po ashtu si në rastin e zotit Nikolla Bozo, këta persona kanë mashtruar edhe firma investitorësh shqiptarë dhe amerikanë. Jam i gatshëm në përgjegjësi të plotë të dëshmoj në çdo kohë përpara autoriteteve gjyqësore të drejtësisë evropiane. Julian Prifti”.


   
Sigal