Niko Dumani: Qeverisja me politikat zhvillimore, vazhdon t’i kundërvihet ruajtjes së natyrës dhe mjedisit  në Vlorë

120

Në Vlorë janë identifikuar ndotje e dëmtime të shumta mjedisore nga miratimi i projekteve për “Sheshin e Flamurit”, ngushtimin e rrugës së bulevardit “Ismail Qemali”, Vlorë-Skelë për të ashtuquajturën “Lungomare”, Aeroportin e së fundi nga dy anije TEC-e lundruese.

Sigal

 Qeveria aktuale nëpërmjet hartimit të Planeve Kombëtare të Integrimit Europian planifikon formalisht realizimin e detyrimeve ndaj Politikave të Bashkimit Evropian për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, për një zhvillim të qëndrueshëm, përdorimin efiçent të resurseve, për emetime e shkarkime të ulëta në mjedisin natyror dhe qëndrueshmëri klimatike. Ndërkohë në legjislacionin tonë është miratuar edhe Strategjia Kombëtare për Integrimin Europian 2024- 2030, që është bazë e politikave prioritare të zhvillimit të vëndit si dhe objektivave të Politikave Strategjike Zhvillimore, por faktikisht konstatohet se vërtet qeveria bën planifikime, por nuk i respekton e zbaton realisht këto planifikime si detyrime për integrimin europian të vendit. Në projektet e miratuara me ndërhyrje e ndikime në mjedis qeveria nuk respekton parimin “acquis” për parandalimin e ndikimeve me dëmtim të mjedisit qysh në burim.

Konstatohet se dëmtimet mjedisore të shkaktuara nga projektet e miratuara shpesh janë me mungesë përgjegjësie në angazhimin e përfshirjen e institucioneve ligjzbatuese për Mbrojtjen e Natyrës, për Ndotjet industriale, për Mbrojtjen nga Zhurmat, Ndryshimet klimatike, për Ruajtjen e menaxhimin e qëndrueshëm të biodiversitetit si dhe respektimin e Direktivave Europiane të Habitatit dhe Shpendëve.

Përsa më sipër në Vlorë janë identifikuar ndotje e dëmtime të shumta mjedisore nga miratimi i projekteve për “Sheshin e Flamurit”, ngushtimin e rrugës së bulevardit “Ismail Qemali”, Vlorë-Skelë për të ashtuquajturën “Lungomare”, Aeroportin e së fundi nga miratimi i projektit të prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e naftës së rëndë (mazut/solar), brënda Gjirit të Vlorës, në Portin e Peshkimit, nga dy anije TEC-e lundruese.

Nëpërmjet një analize të projektit të prodhimit të energjisë elektrike, (nga djegia e naftës së rëndë mazut/solar), kaq shumë i panevojshëm, vlerësoj se ky miratim është bërë në kushtet e mungesës së plotë të respektimit të një planifikimi hapsinor të Gjirit të Vlorës. Ky miratim është bërë në kushte që nuk ka marrë në konsideratë vlerësimin e kapacitetit mundësues të shtimit të bizneseve të reja në hapësirën egzistuese detare të Gjirit të Vlorës. Gjithashtu, miratimi i këtij projekti është bërë pa njohur dhe pa disponuar më parë një model analizash territoriale të Gjirit të Vlorës si hapësire multifunksionale për të paravlerësuar konfliktet social-ekonomike që mund të shkaktohen nga veprimtaria industriale e dy anijeve TEC-e lundrues për prodhim energji elektrike.

 

Rjedhimisht, vendimmarrësit nuk kanë marrë në konsideratë e nuk kanë vlerësuar dëmtimin e zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit detar dhe atij bregdetar natyror e urban. Impakti i këtij projekti nuk është pasqyruar e nuk është marrë në konsideratë as në Raportin e thelluar të ndikimit në mjedis përgatitur për këtë projekt. Pra, konkretisht, nuk janë marrë në konsideratë konfliktet socio-ekonomike e mjedisore; fjala vjen, konflikti i këtij projekti me zhvillmin  e turizmit aktual dhe atij në perspektivë, konflikti me zhvillimin e peshkimit, me konservimin e biodiversitetit të rëndësishëm detar floristik biosintetizues me pasojë uljen e prodhimtarisë së parë organike si hallka e parë e zinxhirit ushqimor si dhe me pasojë asfiksimin e mjedisit ujor detar nga mungesa e oksigjenit. Po kështu konflikti me llojet faunistike të rëndësishme tregtare dhe atyre me status mbrojtje si dhe konflikti me konservimin e pejsazhit natyror dhe pasurive të biodiversitetit të zonës bregetare. Gjithashtu nuk është vlerësuar as konflikti me prioritetin e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet zhvillimit të agroturizmit të zonës “Pejsazh i mbrojtur PishPoro- Nartë”. Të gjitha këto sipas një metodologjie përgatitur paraprakisht. Ndërkohë sipas legjislacionit egzistues edhe Bashkia e Vlorës bazuar në VKM –në Nr.686 datë 29.7.2015   Kreu II- “Zhvillimi i procedurës së thelluar të VKM-se”….,   pika 5-së, nëpërmjet një vendimi përkatës të Këshillit bashkiak është  “Shprehur”  për miratimin e projektit të TEC-eve lundruese në kushtet e mungesës së një inventari të gjithë pasurive natyrore egzistuese sëbashku me vlerat e tyre monetare si burime të ardhurash për bashkinë e Vlorës. Bashkia Vlorë nuk disponon vlerësime paraprake se cilat nga këto pasuri natyrore burojnë të ardhura monetare më shumë e cilat më pak, pra bashkia nuk zotëron një vlerësim paraprak se nga mbrojtja mjedisore e Gjirit të Vlorës si pasuri natyrore ka të ardhura monetare më shumë se sa nga projekt i dy TEC-eve lundrues që bashkia ka miratuar. Në rastin e dy TEC-ve kemi të bëjmë me përdorimin e Gjirit të Vlorës si burim mjedisor për të fituar produktin energji elektrike, që është jo vetëm me kosto të lartë krahasuar me përdorimin e energjisë së rinovueshme (burimin e energjisë diellore), por me një humbje ekonomike të konsiderueshme nga dëmtimet mjedisore. Si konstatim duhet thënë se mospërllogaritjet e vlerës monetare të këtyre humbjeve është për arsye nga më të ndryshme, por më e rëndësishmja e më kryesorja është, sepse nuk disponojnë një model të analizës përllogaritëse të vlerave monetare… Kjo për mungesë të njohjes e zbatimit të metodologjisë përkatëse që mendoj se duhet hartuar paraprakisht nga specialistë përkatës në institucione të specializuara qeveritare.