Ngordhje të bletëve në Korçë, mungojnë specialistët dhe subvencionet

976
Sigal

Punonjësit: Mungojnë specialistët e fushës, subvencionet e vogla

Vite dramatike për bletërritësit. Korçë, ngordhje masive të bletëve

Vitet e fundit rezultuan dramatike për bletërritësit shqiptarë. 164 mijë familje bletësh (koshere), i humbën gjatë vitit 2018. Gjithashtu, 144 mijë i humbën gjatë vitit 2017. Në këto përmasa ishin humbjet edhe për vitin 2016. Nuk ishin më të mira as vitet paraardhëse. Sipas censusit të vitit 2016, numri i koshereve në shkallë vendi ishte 365 mijë; kjo do të thotë se çdo vit është humbur rreth 40% e familjeve të bletëve, për të cilat bletërritësit janë përpjekur t’i ripërtërijnë. Humbja e çdo viti është e barabartë me 20 milionë dollarë ose me vlerën 9.800 krerë lopëve. Në Shqipëri prodhohen 3 mijë ton mjaltë, bletërritësit janë të shumtë, por më të dëmtuar kanë dalë bletarët e vegjël, të cilët sigurojnë të ardhura sa për familjet e tyre. Të dhënat u bënë të njohura gjatë një takimi me bletërritësit e qarkut Korçë, ku ishin të pranishëm kryetari i shoqatës se bletërritësve shqiptarë, Viktor Malutaj, dhe kryetari i shoqatës së bletërritësve për qarkun e Korçës, Gëzim Skerma.

Humbje të mëdha edhe bletërritësit e Korçës

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe bletërritësit e Korçës, vitet e fundit kanë dalë me humbje të mëdha. Shkaqet janë nga më të ndryshmet: përdorimi me tepri i pesticideve dhe herbicideve për spërkatjen e pemëve dhe bimëve; përdorimi i kimikateve të pakontrolluara; mosvënia në dijeni e bletërritësve kur bëhen spërkatje, që këta të fundit të marrin masa për ruajtjen e bletëve, ose mbylljen e tyre në koshere; mosndëshkimi i përdoruese të kimikateve të pakontrolluara, prerja e pyjeve dhe mbjellja e hashashit. Për shkak të pranisë së kësaj bime, bleta arratiset. Sëmundjet janë gjithashtu një faktor tjetër; mungesa e standardeve në mjekim etj. Drejtoritë e bujqësisë nuk kanë specialistë të bletërritjes; nuk ekzistojnë politika për zhvillimin e këtij sektori; nuk ofrohet mbështetje financiare e mjaftueshme; për humbjet e fermerëve, nuk shqetësohet askush prej institucionet që duhet të ndihmojnë etj, etj. Politikat që ndiqen nga vendet fqinje për bletërritjen janë të pakrahasueshme me ato që u ofrohen bletërritësve shqiptarë. Sipas kryetarit të shoqatës së bletërritësve, Gëzim Skerma, “Në qarkun e Korçës, prodhimi i mjaltit zë 1/5 e prodhimit në vend, i cili është i kërkuar si brenda dhe jashtë vendit. Çdo koshere jep afërsisht 10 kg. mjaltë”. Vetëm këto shifra mjaftojnë për të kthyer vëmendjen te ky sektor, pasi kërkesat për bletari janë në rritje. Pothuajse çdo vit numri i aplikimeve për subvencione nga shteti shkon në 30 veta, por ndihma që jepet është e pamjaftueshme.

Me prodhimin e mjaltit mbajnë familjen 2000 bletarë

Sipas Gëzim Skermës, në qarkun e Korçës me rritjen e bletëve merren 2000 bletarë. Nëse në shkallë vendi numërohen 365 mijë koshere, 50.000 prej tyre gjenden në këtë qark. Korça është prodhuesi më i madh i mjaltit në gjithë rajonin e Juglindjes, cilësia e tij është e lartë, pasi edhe kushtet natyrore janë të favorshme. Por përkundrejt këtij realiteti, Skerma pohon se “sasia e mjaltit nga viti në vit po pakësohet, edhe vitin që kaloi pati pakësim për shkak të humbjes së bletëve, ndaj instancat duhet të reagojnë, ndihma nga qeveria shqiptare është shumë e paktë”. “Edhe tre vjet më parë ndodhi e njëjta gjë, shpjegon Skerma, në disa ferma si në Polenë, Drithas e në Sheqeras pati ngordhje masive të bletëve për shkak të spërkatjes së patates me preparate kimike. Disa prej fermerëve u shkatërruan plotësisht. Nuk kishte ndodhur kështu më parë. Situata i pranua edhe nga Drejtoria e Bujqësisë”. Të gjendur në këto kushte shoqata e bletërritësve kërkon më shumë ndihmë të specializuar nga Drejtoria e Bujqësisë, rritje të subvencioneve, pasi ky treg ende nuk plotëson kërkesat brenda vendit, ndërsa ajo që ofron për eksportin është e papërfillshme, dhe kjo sasi nuk shkon për tregun e Bashkimit Evropian, pasi Shqipëria edhe për këtë produkt nuk përmbush standardet e kërkuara, ndaj shkon për tregje të tjera, madje deri në Kinë. Të gjithë këto tregojnë sa shumë duhet investuar në këtë biznes që siguron të ardhura të mira, pa shumë shpenzime, por që deri në konsolidimin e tij, ndihma e qeverisë duhet të jetë reale. Bletarët shpresojnë që për vitin 2019 të mos humbasin sërish 164 mijë koshere për të njëjtat arsye që treguam më lart.