Ngjela: Të arrestohet Myftiu i Tiranës, reagon Gurra: Ngjela të kërkojë falje

714
Pas debatit të nisur në rrjetin social lidhur me mbulimin e figurës së Skënderbeut ditën e Kurban Bajramit, ndërsa besimtarët myslimanë falnin namazin në “Sheshin Skënderbej”, ka ardhur një reagim i fortë nga avokati Spartak Ngjela. Ai kërkon ndërhyrjen e prokurorisë dhe arrestimin e Myftiut Ylli Gurra. Ky është një akt barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit. Një osman barbar na quan turq ne shqiptarëve që jemi populli më i vjetër i Evropës, pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë; Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Fan Nolit, Gjergj Fishtës dhe të shenjtores së madhe, Nënë Tereza? Si qenkemi turq, mor palaço, ne që kemi shpëtuar Perëndimin nga barbaria osmane! Kjo është vlera më e madhe e shqiptarëve. Si ka mundësi që të lejohet një injorant agresiv që mbron tezën e Beogradit agresiv dhe Athinës agresive, pushtuese territoresh shqiptare, se shqiptarët janë turq?! Ne kemi gjuhën më të vjetër në Evropë, dhe kemi vrarë aq pushtues turq në 500 vjet, sa sot do të ishte dyfish popullsia e Turqisë. Nëse kjo prokurori e dominuar nga hordhitë otomane Berishë-Beograd, nuk respekton Kodin Penal për fyerje të tharmit shqiptar nga një barbar, kjo do të përbëjë krim që do ta ndjekë vetë prokurorinë e sotme kompetente shqiptare, menjëherë sa të formohet SPAK. Ja krimet që ka konsumuar Ylli Gurra: 

Neni 265 i Kodit Penal: “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve raciale, nacionale ose fetare… dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”. 

Neni 268 i Kodit Penal: “Poshtërimi botërisht i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit… dënohet deri në dy vjet burg”. 

Neni 266 i Kodit Penal: “Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë… duke fyer ose shpifur për to….dënohet gjer në 5 vjet burgim”. 

Nëse prokuroria shqiptare nuk e ka filluar çështjen penale kundër barbarisë antishqiptare, tregon se ka frikë nga antikorrupsioni dhe shpreson në destabilizim shoqëror në Shqipëri. Nuk ka destabilizim në Shqipëri, le të lodhen së prituri të gjithë barbarët dhe të korruptuarit. Unë nesër, duke bërë detyrën ndaj kombit tim, paraqes denoncimin me shkrim përpara Prokurorit të Përgjithshëm. I ftoj të gjithë shqiptarët të denoncojnë shëmtimin barbar në Shqipëri përpara prokurorisë shqiptare. Sa më shumë denoncime, aq më i lartë patriotizmi shqiptar. Barbarët e kanë marrë gjithmonë humanizmin evropian si dobësi. Por ky myfti ka shkelur ligjin shqiptar dhe ka fyer shqiptarët në vendin e vet. Po e ndjen veten turk, të marrë gjithë taborin e tij me ardhacakët, e të ikë në Anadoll, por pas dënimit. Kjo ka mijëra vjet që kjo është toka e shenjtë e shqiptarëve.

Reagimi i Ylli Gurrës
Avokati Spartak Ngjela, në një postim në Facebook ka njoftuar se do të padisë myftiun e Tiranës, Ylli Gurra. Ngjela shkruan se Gurra i quan shqiptarët turq, ndërsa shton se myftiu ka kryer tre vepra penale, për të cilat do e denoncojë nesër. Myftiu Gurra është shprehur, se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë, ndërsa shton, se Ngjela mund ta ketë ngatërruar me dikë tjetër. Gurra shprehet se pret që avokat Ngjela të kërkojë falje publike për ngatërresën e bërë, ndërsa shton, se në të kundërt do ta padisë atë për keqpërdorim të emrit. Gjithashtu, myftiu Gurra thotë se do të padisë edhe Kastriot Myftarajn për një shkrim të publikuar më 2 shtator, ku e konsideron myftiun “njeri i fshehtë i shërbimit turk në Tiranë”. “Ndoshta avokati këtë herë duhet të bëjë avokatin e vetes, ai ka keqpërdorur emrin tim, pasi unë nuk kam bërë asnjëherë një deklaratë të tillë. Kërkoj që Ngjela të kërkojë falje publike për ngatërresën e bërë, përndryshe do e padis atë, por edhe Kastriot Myftarajn për një shkrim të bërë para pak ditësh. Duket si një sulmim i menduar, po i fryhet një zjarri me qëllim”, shprehet Gurra.
Sigal