Ngjarja horror në Kombinat, Pastor Akil Pano: Rituale të tilla s’kanë lidhje me krishtërimin, janë praktika të njohura të sekteve mistike

566
Sigal

Në religjione flitet për ringjallje shpirtërore dhe jo fizike. Pastori Akil Pano i shokuar nga ngjarja makabre me familjen Josifi në Kombinat thotë se një ritual i tillë nuk ka lidhje me krishtërimin.

Pano: Në fenë e krishterë ringjallja pritet të ndodhë ditën e fundit të kohërave apo të fundit të botës. Në momentin kur një qënie njerëzore largohet nga jeta tokësore, shpirti largohet, trupi do ti nënshtrohet ceremonialit të varrimit, në traditën kristiane dhe islame 24 orë mbahet trupi i të vdekurit dhe pastaj shkon në funeral. Çfarë kemi dëgjuar nga media, është që ky lloj rituali nuk ka fare lidhje me  kristianizmin, as me krishtërimin ungjillor, as krishtërimin katolik dhe as atë ortodoks. Është një tragjedi e madhe njerëzore, na ka lënë pa fjalë të gjithëve.Nocioni i ringjalljes apo rilindjes janë nocione që nuk përdoren vetëm në historinë e rilindjes kombëtare apo rilindjes politike, në religjion flitet për ringjallje shpirtërore.

I ftuar në një studio televizive, pastori thotë se e gjithë ngjarja duhet parë si e tërë, ndërsa thotë se nëna me dy vajzat mund të jenë viktima të sekteve mistike që mund të kenë shtrirë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipërisë.

Pano: Janë një sërë faktorësh, faktori ekonomik, izolimi, vetminë që prodhon izolimi.Këto praktika janë të njohura në kultet pagane që lidhet me demonologjinë dhe sekte mistike që mbase kanë arritur të ushtrojnë dhe veprimtarinë dhe funksionin e tyre në Shqipëri.  Kjo është diçka e padëgjuar në fenë e krishterë. Çdo individ ka të drejtë të besojë dhe praktikojë besimin e tij, qofshin dhe grupimi i Dëshmitarëve të Jehovait. Pres që prokuroria dhe organet hetimore të dalin me përfundimet e tyre.

Pastori nga ana tjetër thotë se edhe izolimi gjatë pandemisë ka rritur nivelin e stresit te njerëzit. Ai tregoi se ka marrë qindra mesazhe për asistencë shpirtërore.

Pano: Ky është realiteti i shumë familjeve.Gjatë kohës së pandemisë kam marrë me qindra mesazhe nga individë që kërkonin asistencë shpirtërore pasi përballeshin me drepresionin dhe ankthin në një nivel akut. Depresioni që vjen kur takohemi me izolimin dhe vetminë dhe atë nevojë të madhe ekonomike, emocionale dhe shpirtërore nuk do të prodhojë elementë më të mirë se vetëvrasja.

Pano thotë ndër të tjera se në Shqipëri vetëvrasjet janë në nivele alarmante dhe për këtë ai referoi statistikat e 2018.

Pano: Në 2018 kam parë 183 raste vetëvrasjeje përkundrejt 57 vrasjesh. Kemi tre herë më shumë vetëvrasje në vit se vrasjet. Është për të vënë alarmin. Shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar i përngjan një ushtrie që vret me indiferentizëm dhe mospërfshirje të plagosurit e saj.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shkaktim vetëvrasje në lidhje me vetëflijimin e Zhaneta Josifit dhe vajzës së saj në Kombinat.

Hetuesit po verifikojnë personat që i kanë shtyrë gratë drekt vetëflijimit ndërkohë që ekspertiza ka arritur në përfundimin se Anisa Josifi është mbajtur e vdekur për 15 muaj në banesë nga nëna dhe motra e saj që nga marsi i vitit 2019.

Ata kanë marrë dëshminë e vajzës së shpëtuar, e cila ka shpjeguar se pas të motrës edhe ajo dhe nëna nisën të refuzojnë ushqimin ndërsa luteshin për ringjalljen e motrës së vdekur.