Nga Universiteti i Prishtinës, Profesor Qosja i dërgon mesazh miqësie Kadaresë

516
Dje në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës Profesor Rexhep Qosja ka folur për temën “Çështja shqiptare dhe Europa e Bashkuar”. 
Në fund të ligjëratës studentët i bënë shumë pyetje. Një prej tyre ishte ajo për raportet e tij me Kadarenë. 
– Dy herë keni polemizuar me Kadarenë, i thanë studentët Profesor Qosjes, herën e parë në fillim të viteve ’70, në temën letërsia shqipe dhe letërsia europiane, ndërsa herën e dytë Europa dhe identiteti shqiptar. Dy herë Europa u bë sherr mes jush!
– Ismail Kadare, – tha Profesor Rexhep Qosja, – është shkrimtar me talent të shquar dhe si i tillë ka të drejtë që në mendimet e tij të shpreh dëshirat e tij; unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete. Për çështjet që kemi diskutuar me Kadarenë, unë kam folur si studiues, ndërsa ai si shkrimtar. 
Ai bazohet në imagjinatën, ndërsa unë në të dhënat. Por, e ka përfunduar fjalën e tij Profesor Rexhep Qosja, ata që polemizojnë mes veti, shumë herë janë njerëz që e duan njëri-tjetrin. 
Përgjigjen e tij, studentët e kanë përcjellë me duartrokitje. 
(B.B.)
Sigal