Nga shtëpitë te dyqanet, tre kategoritë që nuk do paguajnë qiratë, qeveria “shtetëzon pronat” për dy muaj

330
Sigal

Është botuar dje para mesnate në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për të detyruar me ligj mospagesën e qirasë mujore.

Edhe pse një marrëdhënie mes dy palëve private, qeveria ka shfrytëzuar situatën e krijuar nga epidemia, për të ndërhyrë me “Akt Normativ”.

Qeveria është bërë palë me ata që marrin shtëpitë, apo dyqanet me qira, dhe ka vendosur të lërë pa pagesë ata që i japin shtëpitë apo dyqanet me qira. Akti, i ngjan një shtetëzimi pa pagesë, (deri tani të përkohshëm) pasi vetë qeveria nuk ka asnjë angazhim financiar.

“Të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, që kanë kontratë pune por e kanë pezulluar/zgjidhur atë si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020”.

Ky është neni I parë i aktit të qeverisë. Kësaj kategorie i bashkohen edhe studentët. Ra të gjithë studentët që rrinë me qira në nuk do të paguajnë qiranë e shtëpisë për këtë periudhë dy mujore. Kategoria e tretë është biznesi i vogël.

“Të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020”.

Pra edhe dyqanet me qira, përjashtohen nga pagesa për dy muaj, me urdhër qeveria.

Por, qeveria ka menduar edhe për pronarët e shtëpive dhe dyqaneve. Këta të fundit mund të bien dakord me qiramarrësin për mënyrën e pagesës së dy muajve. “Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020”.

Nëse pronari nuk është dakord? Atëherë ndërhyn sërish qeveria:

“Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik. Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse”.

Pra akti i djeshëm i qeverisë, që u mori formë ligjore natën, ka ri pika kryesore. Qiramarrësit nuk do i paguajnë qiranë pronarit të shtëpisë apo dyqanit. Në rast se pronari nuk është dakord, atëherë qeveria do ndërhyjë dhe do i marrë pronarit edhe 5 muaj të tjerë qira.

Pika e tretë është se qeveria nuk ka asnjë angazhim financiar për të ndihmuar as pronarin, që dhe të jetojë pa paratë e qerasë, por as qiramarrësin, i cili duhet të paguajë sërish tarifat e detyrimet e tjera në qeveri.

E gjithë kjo mund të duket si shtetëzim, por qeveria po bën shumë më pak se sa i ka dhënë vetes mundësi. Me “shpalljen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, qeveria ka pezulluar disa të drejta kushtetuese.

Një ndër to është ajo e pronës. “Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”, thuhet në nenin 41 të Kushtetutës.

Sot ky nen është pezulluar. Ndaj pronarët e shtëpive dhe dyqaneve, që qeveria ja shtetëzoi për dy muaj dhe ja dha pa para qiraxhinjve, të ruajnë qetësinë. Qeveria edhe mund t’ia marrë për fare, siç edhe ka ndodhur para shumë vitesh, nga i njëjti soj qeverisës